Nuk ka procedim penal për asnjë pedagog apo student

TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/ – Policia e Shtetit nuk ka proceduar penalisht asnjë pedagog dhe asnjë student që ka marre pjesë në protestat e studentëve gjatë ditëve të fundit.

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi nga salla e Kuvendit, se Policia e Shtetit nuk ka proceduar penalisht asnjë pedagog apo student që ka marrë pjesë në protestë.

Ministri tha se ky lajm që ka qarkulluar në medie, nuk është i vërtetë.

“Gjatë ditës së djeshme ka qarkulluar që herët në mëngjes një lajm për kinse fillimin e procedurave penale ndaj disa studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës në protestat e zhvilluara këto ditë në vendin tonë. Ky lajm ka gjetur një jehonë të gjerë mediatike, publike, ka pasur diskutime, elaborime të shumta. Edhe miq të mi në radhët e profesorëve më kanë shqetësuar dje lidhur me pakuptimësinë e këtij lajmi, ose të kësaj ndërhyrjeje të policisë, dhe në momentin më të parë që gjeta kohë për t’u marrë me këtë çështje, i kam kërkuar Policisë së Shtetit informacione të detajuara rreth kësaj ndërhyrjeje, rreth këtij procedimi dhe për befasinë time të madhe rezulton që lajmi është plotësisht i pavërtetë. Dje nuk ka pasur kurrfarë procedimi penal ndaj asnjë pedagogu dhe ndaj asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e vendit”, – theksoi ai.

Kreu i Ministrisë së Brendshme, tha se “është lehtësisht e provueshme kjo, në qoftë se dikush do kishte marrë mundimin të interesohej pranë organeve të Prokurorisë apo përmes avokatëve përkatës. Pra edhe njëherë e përsëris, më shumë për opinion publik: Nuk ka pasur asnjë lloj procedimi penal ndaj asnjë pedagogu apo asnjë studenti pjesëmarrës në protestat e ditëve të fundit, të zhvilluara në Tiranë apo në qarqet e tjera të vendit”.

“Sigurisht që pas këtij konstatimi kam filluar procedurat për të nxjerrë përgjegjësinë ndaj atyre personave përgjegjës në Policinë e Shtetit, të cilët nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshme për ta përgënjeshtruar këtë lajm, i cili mori vëmendje të madhe publike dhe ngatërroi shumëçka”, sqaroi Lleshaj.

/o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.