LONDËR – May i kërkon ndihmë BE për të shpëtuar Brexit

LONDËR, 13 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kryeministrja britanike, Theresa May pritet të kërkojë tek homologët e saj të BE garanci për ndihmë për marrëveshjen Brexit që rregullon largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

Kryeministrja tha se do t’i kërkojë BE-së “garanci ligjore dhe politike” për të ndikuar  te shumë ligjvënës që synojnë votimin kundër marrëveshjes së Brexit.

Zyrtarët e BE kanë këmbëngulur, megjithatë, se marrëveshja e arritur me Londrën dhe e miratuar nga krerët e BE muajin e kaluar nuk ka nevojë për rinegocim.

“Çfarëdo siguri do të jepet, ata nuk mund të kundërshtojnë marrëveshjen për të cilën u ra dakord më 25 nëntor”, tha një zyrtar i lartë i BE.

Një pikë kyçe për parlamentarët euroskeptikë është e ashtuquajtura ‘’backstop’’, që synon të sigurojë që nuk do të ketë kufi të vështirë ndërmjet Republikës së Irlandës dhe Irlandës së Veriut, e cila do të largohet nga BE bashkë me Britaninë e Madhe./   /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.