ARGJENTINË – Vëllai i presidentit Macri merret në pyetje në një çështje për korrupsion

BUENOS AIRES, 13 dhjetor /ATSH-AFP/ – Gianfranco Macri, vëllai i presidentit argjentinas, Mauricio Macri, u mor sot në pyetje nga gjyqtari Claudio Bonadio në kuadër të hetimit ‘’Fletoret e korrupsionit’’, një mega skandal i ryshfeteve të paguara nga disa kompani në kohën e administratës Kirchner (2003-2015).

Gianfranco Macri i dorëzoi një deklaratë me shkrim magjistratit, ku përgënjeshtronte çdo pagesë të jashtëligjshme.

”Nuk kam paguar kurrë ryshfet’’, deklaroi ai për median në momentin e daljes nga gjykata.

Franco Macri lideri i klanit Macri, 88 vjeç, i ati i Gianfranco dhe Mauricios, gjithashtu i thirrur sot për të dhënë dëshminë e tij nuk u paraqit në gjykatë me pretendimin e një gjendje jo të mirë shëndetësore, për të kërkuar shtyrje të seancës dëgjimore, sipas burimeve gjyqësore./ / v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.