656 mijë qytetarë përfitojnë nga shpërblimi i fundvitit


TIRANË, 13 dhjetor /ATSH/- Paketa e solidaritetit që po adreson tashmë qeveria çdo fundviti, është shprehje e drejtpërdrejtë e vëmendjes dhe mbështetjes për më të moshuarit.

Ministria e Financave bën të ditur se, këtë vit nga “Bonusi i pensionistëve”, 5 mijë lekë të reja për çdo pensionit në fund të vitit, me një fond total prej 3.2 miliardë lekë, përfitojnë mbi 656 mijë pensionistë dhe përfitues të tjerë.

Ndërkohë që në vitin 2017, me një buxhet prej 2.2 miliardë lekë për paketën e solidaritetit përfituan mbi 600 mijë pensionistë, 67 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe mbi 79 mijë familje në ndihmë ekonomike.

Në vitin 2016, me një fond historik prej 4 miliardë lekë, për Bonusin e pensionistëve, personave me ndihmë ekonomike dhe atyre me aftësi të kufizuara, secili prej 611.544 pensionistëve në vend, përfituan bonusin prej 6 mijë lekë.

“Dhe për të mos harruar nga vijmë”, sjell në vëmendje Ministria e Financave, “në vitin 2010, qeveria e vjetër dha zero shpërblime për pensionistët, në 2011 zero shpërblime. Në 2012 vetëm 2 mijë lekë shpërblime”.

Në tetë vite qeveria e vjetër dhe vetëm një here shpërblim për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.

Pra zero shpërblim në vitet 2005-2009, zero shpërblim në 2010 dhe zero shpërblim në 2011. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.