Pagesë deri në 100% nga shteti të tarifave universitare

IRANË, 11 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Qeveria do të ndërhyjë duke paguar deri në 100% të tarifave të studentëve, por kjo duhet të vijë si një zgjidhje e strukturuar në mënyrë të atillë që të jemi të drejtë me çdo student dhe taksapagues.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i ftuar përballë studentëve në studion e emisionit Top Show, për t’iu përgjigjur kërkesave të studentëve, të cilët prej ditësh ndodhen në protestë.

Kryeministri sqaroi ndërhyrjen që do të bëjë qeveria për uljen e tarifave. “Duhet të ulemi të diskutojmë se si ta strukturojmë në mënyrë të atillë, që të jemi të drejtë me çdo student dhe taksapagues. Të mbështesim më të varfrit, të stimulojmë më të mirët dhe t’i japim mundësi atyre që ndodhen në mes të mos ndihen mbrapa”, – tha Rama.

Ai sqaroi se “kjo do të jetë një tarifë e cila do të paguhet nga shteti”. “Nuk do të ulet tarifa, por do të paguhet nga shteti”. “Nëse sot në koston e dikujt që paguan tarifën në Ekonomik, shteti ka një kontribut 70 %, mbas vendimit që do të marrim, ne do të hyjmë te tarifa juaj dhe do të shkojmë 100%, 80%, 70%, por asnjëherë më pak se 50%. Ndërsa studentëve me 4 dhe 5 do t’i jepet kohë, nëse do të vazhdosh me katra nuk do të paguajë shoqëria për ty. Nga 6 deri lart në mënyrë progresive do të ndërhyhet. Ashtu sikurse edhe për të varfrit dhe më të mirët do të jepet mundësi për bursë apo pagesë vjetore për shpenzime të caktuara”, – tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.