Young Boys, Seoane: Asnjë dhuratë “Juventusit”

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/- Mbrëmjen e së mërkurës “Juventusi” do të përballet me “Young Boys” për ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve. “Bardhezinjtë” kanë siguruar tashmë kualifikimin, por i duhet një sforco e fundit për të siguruar vendin e parë dhe fitoren në grupin H, pasi “Manchester United” është vetëm dy pikë larg dhe të mërkurën luan sfidën e saj të fundit përballë “Valencias”. “Young Boys” ka mbyllur në vendin e fundit dhe i vetmi stimul në këtë sfidë është statistika dhe përballja me një nga skuadrat më të forta të këtij kompeticioni dhe një rezultat pozitiv do të ishte stimul i madh për sezonin e zviceranëve.

“Tuttosport” raporton se stadium “Stade de Suisse” do të jetë i mbushur plot e përplot. Ndërkohë, mësohet se trajneri i “Young Boys” ka kërkuar nga të tijtë përqendrim maksimal. “Në krahasim me ndeshjen e parë jemi më në formë. Treguam një lojë të mirë dhe rritje të skuadrës gjatë ndeshjes me “United” apo “Valencian”. Duam të tregojmë se vlejmë edhe para “Juventusit”. Ato kanë në krahun e tyre futbollistë si Dybala, që shënoi tri gola ndaj nesh në ndeshjen e parë dhe Ronaldo, që mungoi në sfidën e parë, por ne kemi një grup që mund të na japi kënaqësi të mëdha dhe dua një rezultat pozitiv ndaj “Juventusit”, tha Seoane, trajneri i “Young Boys”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.