Ngritja e KLP, hap faqe të re për drejtësinë në Shqipëri

Ngritja e KLP, hap faqe të re për drejtësinë në Shqipëri

Ngritja e KLP, hap faqe të re për drejtësinë në Shqipërihttp://ata.gov.al/2018/12/11/ngritja-e-klp-hap-faqe-te-re-per-drejtesine-ne-shqiperi/“Një faqe e re po hapet sot për drejtësinë penale në Shqipëri. Një hap para tejet i rëndësishëm po konkretizohet në jetësimin e reformës historike për reformimin e drejtësisë shqiptare”, tha Gjonaj.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E martë, 11 Dhjetor 2018

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ “Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka një rol kyç në procesin e transformimit të gjithë sistemit të Drejtësisë”, deklaroi sot ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve që do të zgjedhin anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Sot është një ditë vërtetë e veçantë për sistemin e ri të drejtësisë, tha Gjonaj, duke shtuar se “ky është një tjetër hap shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e reformimit të sistemit të drejtësisë”.

“Një faqe e re po hapet sot për drejtësinë penale në Shqipëri. Një hap para tejet i rëndësishëm po konkretizohet në jetësimin e reformës historike për reformimin e drejtësisë shqiptare”, tha Gjonaj.

Reforma në Drejtësi është jetike për konsolidimin e shtetit të së drejtës, shtoi ajo, duke nënvizuar faktin se “kjo reformë është jetike për shqiptarët në rikthimin e besimit të  tyre ndaj sistemit, te drejtësia në shërbim të tyre”.

“Reforma është thelbësore për transformimin e gjithë sistemit të drejtësisë dhe veçanërisht për sistemin e drejtësisë penale dhe për vetë institucionin e prokurorisë. Pavarësia vendimmarrëse e prokurorëve, barazia e tyre në status me gjyqtarët, garancia për qëndrueshmëri në detyrë dhe promovimin në karrierë, ndarjen përfundimisht nga ndikimi politik dhe një sërë elementësh të tjerë janë risi thelbësore që reforma sjell për prokurorinë shqiptare”, tha Gjonaj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sipas saj, ka një rol kyç në gjithë këtë proces. “Një institucion që për herë të parë do të ngrihet për sistemin e prokurorisë me një rol shumë të rëndësishëm për pavarësinë, mirëfunksionimin dhe efikasitetin e prokurorisë, si dhe për karrierën dhe promovimin e prokurorëve. Ndaj është shumë i rëndësishëm ky proces votimi sot. Është përgjegjësia juaj që përmes një procesi transparent dhe legjitim të zgjidhni anëtarët tuaj për KLP, duke treguar njëherësh edhe vendosmërinë tuaj në reformimin e mëtejshëm të sistemit”, tha ministrja.

Ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas Gjonaj, po bëhet me prokurorët më të mirë të cilët i janë nënshtruar me shumë sukses procesit të vetingut. Vetingu, tha ajo, po ecën përpara me shumë sukses, por ka ende nevojë për t’u përmirësuar për të qenë edhe më shumë i drejtë dhe i barabartë në vlerësimin përkatës ndaj prokurorëve e gjyqtarëve në zbatim të drejtë të kushtetutës e ligjit.

“Anëtarët e zgjedhur të KLP-së, do të duhet të garantojnë zbatimin e drejtë e të ndershëm të rregullave që garantojnë karrierën dhe statusin e prokurorëve dhe të zgjedhin më të mirët dhe më të zotët në funksionet e reja drejtuese në të gjitha nivelet e prokurorisë si dhe të Prokurorisë së Posaçme, e cila, do të garantojë një luftë të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Gjonaj.

Duke u ndalur te masat që janë marrë për trajtimin financiar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit të drejtësisë, Gjonaj tha se “duke filluar nga muaji tjetër, hyn në fuqi sistemi i ri i pagave dhe trajtimit financiar për gjyqtarët dhe prokurorët, duke sjellë kështu të paktën dyfishimin e pagave tuaja si dhe duke rritur garancitë dhe përfitimet e tjera financiare”.

Po ashtu, Gjonaj tha se “Këshilli i Lartë i Prokurorisë, së bashku me Këshillin e Lartë Gjyqësor ka tashmë në dispozicion edhe godinën e re ku do të ushtrojnë aktivitetin këto institucione të reja”.

“Bashkarisht, ne do të krijojmë një kulturë të re bashkëpunimi me institucionet e reja të sistemit duke vlerësuar parimin e ndarjes së pushteteve por njëkohësisht edhe bashkëpunimin shumë më aktiv me agjencitë ligjzbatuese të ekzekutivit në funksion të realizimit të drejtësisë dhe veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha ajo./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.