Buxheti 2019, ulet ngarkesa fiskale

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/- Buxheti për vitin 2019, planifikon më shumë burime të ardhurash si rezultat i politikave fiskale të cilat do të vazhdojnë të bazohen në taksimin e ndershëm dhe në nxitjen e investimeve private strategjike në sektorët prioritare.

Ky program bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit në ekonomi.

Në tre vitet e fundit, buxhetet e miratuara kanë synuar reduktimin gradual dhe të targetuar të barrës tatimore nëpërmjet uljes së tarifave të tatimit dhe përjashtimeve të studiuara.  Rritja e të ardhurave është synuar kryesisht nga zgjerimi i bazës së tatueshme, lufta ndaj informalitetit dhe përmirësimi i administrimit tatimor.

Sipas relacionit që shoqëron buxhetin e vitit 2019, qeveria synon të shpërndajë në mënyrë më të drejtë barrën fiskale, duke ulur ngarkesën për grupe, kategori dhe sektorë të caktuar.

Qeveria parashikohet të vijojë të forcojë rritjen ekonomike të vendit në nivelin 4,3% në vitin 2019 dhe normën mesatare të papunësisë ta ulë në 12%, duke gjeneruar mbi 30 mijë vende të reja pune. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.