56 milionë euro investim total për konviktet

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama, gjatë emisionit “Top Show”, në “Top Channel”, duke diskutuar me studentët u shpreh se investimi për konviktet në total është 56 milionë euro, ndërsa faza e parë kap vlerën e 18 milionë eurove.

Duke iu përgjigjur interesit të një studenteje që foli për konviktet, Rama tha se, nuk bëhen të gjitha menjëherë.

“Është njësoj si ju t’u thoni prindërve tuaj, pse nuk i bëni të gjitha, dhe pse ju duhet të shkoni të sakrifikoni, le t’i bëjnë ato të gjitha dhe jeni në rregull. Prindërit duhet t’i bëjnë të gjitha, po s’i kanë mundësitë. Siç është shtëpia juaj atje, është dhe shtëpia jonë e përbashkët”, – sqaroi Rama.

“Ka mangësira, por çështjen e konvikteve e kam ngritur dhe është hera e parë në historinë e tranzicionit demokratik që një qeveri investon te konviktet. Ja kam kërkuar Kancelares gjermane këtë. Nuk e di çfarë keni parasysh me fasadat e që ka marrë një konotacion negativ. Nëse s’ka rëndësi fasada, s’ka rëndësi si visheni, si kombinoheni, por dilni siç jeni kur zgjoheni. Por jo, ka shumë rëndësi edhe fasada, edhe struktura. 18 milionë euro faza e parë, 56 milionë euro është investimi total”, – theksoi Rama./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.