Të drejtat e njeriut, gur themeli i politikës së jashtme të Shqipërisë

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ – Për ministrin për Europën dhe Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, “të drejtat e njeriut, përbëjnë një gur themeli të politikës së jashtme dhe veprimit diplomatik të Shqipërisë”.

Kjo deklaratë e ministrit Bushati vjen në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Shqipëria, në kuadër të Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, si një vend pilot i zbatimit të Objektivit të 16-të për Paqe, Drejtësi dhe Institucione të Forta, është e angazhuar thellësisht për konsolidimin e shtetit ligjor, si e vetmja garanci që të gjithë qytetarët e këtij vendi, pa asnjë dallim, të gëzojnë të drejtat themelore të njeriut”, theksoi Bushati.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, nënvizoi se “Shqipëria i është bashkuar në vazhdimësi familjes së shteteve më të avancuara në fushën e zbatimit të të drejtave të njeriut, kryesisht në zbatimin e akteve ndërkombëtare me objekt të drejtat e grave dhe vajzave, pakicave e grupeve më të disavantazhuara dhe ekstremizmin e dhunshëm”.

“Tregues i kësaj vendosmërie është edhe miratimi këtë vit i Planit të Veprimit për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për kontributin e vajzave dhe grave në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes”.

“Si një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, Shqipëria është thellësisht e përkushtuar të përmirësojë gëzimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në menyrë efektive, të rrisë aksesin në shërbime publike të të gjithë qytetarëve, sikundër të promovojë e garantojë mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë jashtë Atdheut”, tha ministri i Jashtëm Ditmir Bushati. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.