Presidenti merr pjesë në Konferencën e OKB, “Kompakti Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”

TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/- Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Marrakesh, Marok për të adaptuar “Kompaktin Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”.

Duke iu drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres si dhe 150 krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrës, Presidenti Meta u  shpreh se “Kompakti Global është rezultat i trendit gjithnjë në rritje të migrimit. Është rezultat i shqetësimit tonë të përbashkët. Por është gjithashtu rezultat i domosdoshmërisë për një reagim kolektiv e të përbashkët në partneritet dhe solidaritet brenda një kuadri shumëpalësh”.

Meta tha se “të gjitha vendet tona, qoftë ato të origjinës, të tranzitit apo të vendmbërritjes, preken nga migrimi. Dhe me përvojën që kemi pasur kemi mësuar se mund ta trajtojmë këtë dukuri vetëm në partneritet, sepse është një proces shumë i vështirë dhe kompleks”.

“Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut; ka të bëjë me menaxhimin e kufijve; ka të bëjë me kostot financiare; ka të bëjë me kohezionin social; me sovranitetin dhe kështu mund të vazhdoj pafund.Ne nuk duhet të lejojmë që të dobësohemi nga lëvizshmëria njerëzore. Përkundrazi, ne duhet të fuqizohemi duke krijuar një mekanizëm më human, më dinjitoz dhe të sigurt për të qeverisur migracionin”, tha ai.

Si një vend kandidat për në Bashkimin Europian, vijoi Meta, Shqipëria ka përafruar politikat e azilit dhe migracionit me rregullat dhe ligjet komunitare të BE-së dhe me Konventën e Gjenevës.

“Ne jemi duke punuar ngushtësisht me vendet europiane dhe vendet e tjera fqinje për t’u përballur dhe kapërcyer sfidat e migracionit. Kohët e fundit kemi nënshkruar një Marrëveshje për Statusin me Agjencinë Europiane të Kufitarit dhe të Bregdetit. Kjo marrëveshje parashikon një bashkëpunim më të mirë dhe më të koordinuar operacional midis Shqipërisë dhe shteteve anëtare të Bashkimit Europian për çështjet e migracionit. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin për të përgatitur një plan emergjence duke pasur parasysh zhvillimet aktuale. Do të prezantojmë dhe nisim Strategjinë e re Kombëtare për Qeverisjen e Migracionit në një ditë simbolike, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Emigrantëve më 18 dhjetor”, tha Presidenti./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.