TIRANË, 10 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka theksuar se është një nga prioritetet e qeverisë lufta kundër korrupsionit, por lindja e institucioneve të reja të drejtësisë si KLGJ dhe KLP do jenë një garanci për vazhdimin e kësaj sfide.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion si dhe ambasadori i BE, Soreca, zhvilluan sot një takim të zgjeruar me dy strukturat antikorrupsion, Komitetin Koordinator dhe Task Forcën Ndërinstitucionale Antikorrupsion.
Me pjesëmarrjen edhe të përfaqësuesve të trupit diplomatik dhe shoqërisë civile, u prezantuan arritjet dhe rezultatet në lidhje me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2018.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ambasadorin e BE, Gjonaj tha se ka qenë një vit i mbushur plot me sfida në luftën kundër korrupsionit për Qeverinë shqiptare por edhe njëkohësisht edhe meje në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion.
“Por që në bashkëpunim me anëtarët e kabinetit qeveritar, institucionet e tjera ligjzbatuese, polici, prokurori, anëtarët e Task Forcës, kemi arritur që të ndërtojmë së bashku një bazë të mirë në arritjen e kësaj nisme të përbashkët të rezultateve antikorrupsion”, tha ajo.
Ministrja shtoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet i Qeverisë shqiptare, jo vetëm si një rekomandim i BE-së por njëkohësisht si një prioritet i kësaj qeverie për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetareve, nëpërmjet forcimit të shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, transparencës dhe integritetit të institucioneve ligjzbatuese.
“Lufta kundër korrupsionit është një nga sfidat më të rëndësishme për qeverinë, rezultatet e së cilës impaktojnë në mënyrë të drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve e në të njëjtën kohë edhe zhvillimin ekonomik, social e kulturor të vendit. Është rruga e vetme prej nga kalon procesi i integrimit të vendit në familjen e madhe europiane, një ëndërr dhe synim i kahershëm i qytetarëve shqiptarë.Janë pikërisht këto arsye madhore, që e kanë shndërruar luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor në një betejë të detyrueshme për t’u fituar dhe në një objektiv real të Qeverisë shqiptare”, shtoi ministrja.
Një rëndësi të veçantë Gjonaj i kushtoj institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
“Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë si mekanizma që do të garantojnë edhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë në çështje korrupsioni do të jetë një hap shumë i rëndësishëm që do të ndihmojë në rifitimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe do të shënojë një gur themeli në luftën kundër korrupsionit. Përfitoj nga rasti duke mbajtur në konsideratë se nesër dhe pasnesër do të mbahen dy mbledhjet më të rëndësishme për dhënien jetë dy organeve qeverisëse të sistemit të Drejtësisë, Këshilllit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të inkurajoj të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët të marrin pjesë në mbledhjet e përgjithshme respektive, për të ushtruar detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre në zgjedhjen e kandidatëve të KLGJ dhe KLP”, tha ministrja Gjonaj.
Po ashtu, Gjonaj tha se qeveria miratoi në prill 2018, Planin e Veprimit 2018 – 2020, hartuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, i cili jetëson objektivat e strategjisë por dhe përmbush prioritet qeverisëse për të luftuar korrupsionin, përmes rritjes së transparencës, forcimit të integritetit si dhe përdorimit të Inovacionit dhe deregulimit të shërbimeve publike si instrumente të rëndësishëm në këtë luftë.

Ministrja renditi masat antikorrupsion, ku shprehet se “janë rekomanduar 296 masa administrative, masa që ju janë dhënë institucioneve për përmirësimin e veprimtarisë së tyre dhe rivendosjen në vend të ligjshmërisë në disa aspekte të punës së tyre. Në total janë dhënë 445 masa disiplinore për drejtues dhe punonjës të administratës, të cilët janë gjetur në shkelje ligjore dhe afera korruptive në punën e tyre. 33% e këtyre masave kanë qenë për pozicione në nivel drejtues. Nga këto masa disiplinore vlen të theksoj se 102 prej tyre janë largime nga puna. Ndërsa 36 punonjës janë kallëzuar penalisht pranë organeve të Prokurorisë, pasi kanë qenë të dyshuar për veprat penale të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës.
“Me kënaqësi mund të them që besimi i qytetarëve tek veprimtaria e strukturave të Task Forcës Antikorrupsion është rritur, duke rritur ndjeshëm numrin e rasteve të ankesave ose denoncimeve për çështjet korruptive, ose abuzimit me detyrën”, tha ministrja.