SHBA-BE: KLGJ e KLP të ngrihen këtë javë

TIRANË, 10 dhjetor /ATSH/ – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, i bënë thirrje “gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë që të sigurojnë një proces të lirë dhe transparent zgjedhor për magjistratët në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor”.

Ambasada e SHBA dhe BE vëndosën theksin te rëndësia e këtij procesi, i cili sipas saj do t’i hapë rrugë edhe negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Ruajtja e këtij progresi, sidomos nëpërmjet krijimit të strukturave gjyqësore të pavarura, të parashikuara në Reformën Kushtetuese, është një hap thelbësor drejt rrugës së çeljes së negociatave me Bashkimin Europian në qershor 2019”.

Ambasada amerikane dhe BE, nënvizojnë se “një sistem drejtësie tërësisht funksional është edhe në interesin e pastër të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë”.

“Një gjyqësor i pavarur, i përgjegjshëm dhe profesional do të jetë në dobinë e qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme për reformën në sistemin e drejtësisë. Ngritja e vazhdueshme e institucioneve së Reformës në Drejtësi duhet ruajtur dhe konfirmuar këtë javë”, shkruhet në njoftim.

Në këtë deklaratë theksohet se ky është një moment i rëndësishëm ku “gjykatësit dhe prokurorët t’i japin kontribut dhe formë sistemit shqiptar të drejtësisë, për të ardhmen dhe shpresat e të gjithë shqiptarëve”.

“Ne presim që ata të tregojnë se kanë zotërim dhe përgjegjësi në krijimin e këtyre institucioneve jetike”, thekson Ambasada e SHBA dhe delegacioni i BE. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.