Divjakë/ Nxënësit e shkollës “Koli Sako” dhurojnë pako për festat e fundvitit

TIRANË,8 dhjetor /ATSH- I. Vata/ – Kanë qenë nxënësit e shkollës “Koli Sako” në bashkinë  Divjakë që kanë marrë nismën humane të dhurimit në këtë prag festash.

Në shkollën 9-vjeçare “Koli Sako” në Divjakë, nxënësit e kësaj shkolle me mbështetjen edhe të mësuesve dhe drejtuesve, ndërmorën një iniciativë humane për të ndihmuar sadopak shokët dhe shoqet e tyre që në këtë prag festash, kanë nevojë për një gjest të tillë.

Fëmijët që u përfshinë në gjestin human të shokëve dhe shoqeve të tyre i përkisnin grupeve vulnerabël të: Fëmijëve me aftësi ndryshe, fëmijët që i përkasin familjeve me ndihmë sociale, fëmijët me prindër të ndarë dhe fëmijët jetimë.

Kjo iniciativë u ndërmor nga senati i shkollës dhe gjeti mbështetje si tek mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, gjithashtu edhe tek prindërit e nxënësve të cilët kontribuan pra për të plotësuar pakot e ndihmave për këto familje.

Ky gjest nuk i ka varfëruar familjet e tyre, por ka dhuruar një buzëqeshje sado të vogël në fytyrat e këtyre familjeve në nevojë. Le të shpresojmë që iniciativa te tjera të ngjashme të ndjekin këtë të sotmen jo vetëm nëpër shkolla, sepse bamirësia mund të bëhet kudo./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.