Tre mijë zogj protagonistë në festivalin e rrallë të natyrës

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – Kudo në botë ka mjaft njerëz të cilët e kanë hobi të merren me rritjen e zogjve, më konkretisht me kanarinat e gardelinat. Një pjesë e bën për qëllime përfitimi ekonomik, ndërsa një pjesë tjetër e ka kthyer edhe në mënyrë jetese pasionin për këta lloj zogjsh.

Zogjtë në prag të festave këtë fundjavë do jenë protagonistët kryesorë në një spektakël, ku të apasionuarit do të shohin ngjyrat e larmishme si dhe do të shijojnë ”koncertin” e zërave të tyre.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi shprehet për këtë aktivitet se, ”për më të vegjlit dhe jo vetëm. Këtë fundjavë, spektakli i zogjve, gara më e jashtëzakonshme e zërave, këngës dhe ngjyrave të mbi 3 mijë zogjve. Në Expo City, në datat 6-7-8 dhjetor. Mos e humbni rastin të bëheni pjesë dhe të shijoni festivalin e rrallë të natyrës”.

Deri rreth viteve ’90 kjo kulturë nuk qe edhe aq e përhapur në vendin tonë, por sot gjithçka ka ndryshuar duke qenë se ka mjaft dyqane që i ofrojnë me çmime konkurruese racat e tyre, aksesorët e nevojshëm apo edhe ushqimin. Këta të fundit konfirmojnë edhe interesimin që kanë ditët e sotme shqiptarët karshi këtij “fiksimi”.

Edhe pse ka lindur si një hobi e vazhdon të mbetet i tillë, ai ndryshon në proces nga amatorët tek profesionistët. Profesionistët njihen për “fiksimin”e ruajtjes së racës, ndërsa amatorët preferojnë të eksperimentojnë me kryqëzime, duke krijuar zogj të larmishëm në madhësi të ndryshme, me zëra të ndryshëm dhe me ngjyra të ndryshme. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.