GJERMANI – Steinmeier në Kinë për të drejtat e njeriut, ekonominë dhe inteligjencën artificiale

BERLIN, 5 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti gjerman, Frank Walter Steinmeier do të zhvillojë duke filluar nga sot, një vizitë shtetërore gjashtë ditore në Kinë, gjatë të cilës do të debatohet për çështjet e të drejtave të njeriut, bashkë me çështjet ekonomike dhe pasojat sociale që mund të ketë inteligjenca artificiale.

“Programi i kësaj vizite reflekton lidhjet intensive të vendeve, si dhe kompleksitetin dhe shumëllojshmërinë e marrëdhënieve gjermano-kineze”, njoftoi zyra e Steinmeier në Berlin.

Që prej vitit 2016, Kina ka qenë partneri më i madh tregtar i Gjermanisë.

Steinmeier pritet të takohet me sipërmarrës gjermanë dhe kinezë, si dhe me intelektualë.

Në delegacionin që shoqëron Steinmeier-in është edhe komisioneri i qeverisë gjermane për të drejtat e njeriut, Baerbel Kofler.

Gjatë një deklarate të bërë dje në Berlin, Kofler tha se “situata e të drejtave të njeriut në Kinë është përkeqësuar vitet e fundit”. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.