Agroturizëm- IPARD II mbështet 65% të vlerës së investimit

TIRANË, 4 dhjetor /ATSH/- Programi IPARD II mbështet investimet në diversifikimin e ekonomisë në fshat, konkretisht në sektorin e agroturizmit, turizmit rural, prodhimin e produkteve tradicionale etj, duke financuar 65% të vlerës për investime nga 10 000 euro  deri në 400 000 euro.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se, aplikimet dorëzohen brenda datës 30 janar 2019, në zyrat qendrore të Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR)  në Tiranë.

Mbështetja për diversifikimin e ekonomisë rurale është një nga tre masat që financon programi IPARD II, për bujqësinë shqiptare, që janë masa e parë: Mbështetje për investimet në fermë dhe mbështetje për përpunimin e produkteve dhe tregtimin e tyre.

Që prej datës 30 nëntor 2018, fermerët dhe sipërmarrësit në zonat rurale kanë nisur aplikimet për  IPARD II, për të përfituar mbështetje financiare për investimet e reja që do të ndërmarrin në sektorin e bujqësisë, sipas kritereve të përcaktuara.

IPARD II me një fond prej 94 milionë euro, financuar nga BE dhe qeveria shqiptare, është mbështetja më e madhe që bujqësia shqiptare, agropërpunimi dhe zonat rurale, kanë pasur ndonjëherë në të paktën 30 vitet e fundit. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.