Prezantohet sot pyetësori i ri për sipërmarrjet në Shqipëri

Studimi synon të identifikojë barrierat që ndikojnë në rritjen e sektorit e privat

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/- Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Banka Europiane e Investimeve  (BEI) dhe Grupi i Bankës Botërore (BB) prezantojnë një seri të re pyetësorësh për sipërmarrjet në më shumë së 40 vende, përfshirë Shqipërinë.

Objektivi i këtij pyetësori është të marrë informacion nga kompanitë në sektorin privat mbi mjedisin e biznesit në secilin nga vendet pjesëmarrëse dhe t’a përdorë këtë informacionin  për të vlerësuar mundësitë dhe pengesat që ndikojnë në rritjen e sektorit privat. Në secilin nga vendet, pyetësori do të zhvillohet përmes intervistave me kompanitë private në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve.

Në nj njoftim për shtyp BERZH bën të ditur se, në Shqipëri, është kontraktuar kompania Ipsos Albania për të bërë mbledhjen e të dhënave dhe intervistat me kompanitë e përzgjedhura në mënyrë rastësore do të nisin në dhjetor 2018. Kjo punë do të vazhdojë deri në maj 2019 dhe rezultatet paraprake të pyetësorit pritet të dalin në gjysmën e dytë të vitit 2019.

Rezultatet nga pyetësori për sipërmarrjet së bashku me informacionin shtesë nga sondazhe të tjera të ngjashme në vende të tjera pjesëmarrëse do të jenë në thelb të punimit analitik të bazuar në fakte dhe mund të hedhin dritë mbi mënyrën sesi mund të promovohen investimet, produktiviteti dhe rritja ekonomike në këto vende.

Pyetësori është i ngjashëm me pyetësorë të tjerë për sipërmarrjet të Bankës Botërore të cilët po zhvillohen në të gjithë botën dhe kanë një metodologji standarte. Temat e përfshira në pyetësor- si produktiviteti, përshtatja e teknologjisë dhe inovacionit, konkurenca, kualifikimi i fuqisë punëtore, informaliteti, aksesi në shërbimet financiare, infrastruktura dhe ndikimi i shtetit si rregullator- do mund të jenë të krahasueshme në shkallë globale. Pyetësori do të përmbajë gjithashtu një modul mbi ekonominë e gjelbër.

Seria aktuale e pyetësorëve për sipërmarrjet do të shtrihet në më shumë se 40 ekonomi në Europë, Azinë Qëndrore, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.