Penintaex: Agjencitë e lajmeve, mediumi i duhur për përballjen me “Fake News”

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ “Agjencitë e lajmeve janë të duhurat për të fuqizuar aksesin e qytetarëve në informacione të besueshme dhe të verifikueshme dhe parandalojnë përhapjen e dizinformimit përmes internetit”, theksoi drejtori i Përgjithshëm i agjencisë qipriote të lajmeve CNA, dhe sekretar i Përgjithshëm i AMAN-it, George Pennintaex në fjalën e tij në konferencën ndërkombëtare me temë “Agjencitë e Lajmeve vs ‘Fake News’”, organizuar në Tiranë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sipas tij, agjencitë e lajmeve ofrojnë një burim serioz informacioni, që ka mbijetuar për dekada dhe janë të detyruara të vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë në vitet në vijim.

Penintaex bëri një përmbledhje të asaj që ekspertët kanë cilësuar “lajm të rremë”.

“Sipas ekspertëve, lajmi i rremë është një lloj gazetarie e verdhë ose propagandë që konsiston në dizinformimin e qëllimshëm, apo mashtrime që përhapen përmes shtypit tradicional dhe transmetohet në medien informative në median sociale në internet. Ky term, në kohë të caktuara gjithashtu për të vënë në dyshim legjitimitetin e lajmeve nga një këndvështrim politik kundërshtues, një taktikë e njohur si shtypi i rremë. Informacioni i rremë shpesh pastaj pasqyrohet si keqinformim në mediat sociale, por, nganjëherë gjen rrugën edhe drejt medias tradicionale. Lajmi i rremë zakonisht shkruhet dhe publikohet me qëllime mashtrimi, në mënyrë që të dëmtojë një agjenci, ent,  apo individ, dhe për të përfituar financiarisht ose politikisht, duke përdorur shpesh kryeartikuj të bujshëm, të pandershëm dhe tërësisht të sajuar me qëllim që të rritet numri i lexuesve, shpërndarja në internet dhe rrisë të ardhura përmes klikimeve në internet.

Në rastin e dytë, është i ngjashëm me kryeartikujt e bujshëm dhe mbështetet në reklamimin e fitimeve të gjeneruara nga ky aktivitet, pavarësisht vërtetësisë, apo jo të lajmeve të publikuara.

Lajmi i rremë i qëllimshëm dhe mashtrues ndryshon nga parodia e dukshme satirizuese, që ka për qëllim më tepër ta argëtojë, sesa ta mashtrojë audiencën”, theksoi Penintaex.

Sipas tij, përkatësia e lajmit të rremë është rritur në kulturën e politikës përtej së vërtetës. “Për organet e medies, aftësia për të tërhequr shikuesit drejt faqeve të tyre të internetit është e domosdoshme për të gjeneruar të ardhura nga interneti. Nëse publikimi i një lajmi me përmbajtje të rremë tërheq përdorues, kjo rrit përfitimet financiare si dhe përmirëson renditjen si media. Aksesi dhe gjenerimi i lehtë i të ardhurave reklamuese përmes internetit, polarizimi politik gjithnjë në rritje, si dhe popullariteti i medias sociale janë të gjitha të përfshira në përhapjen e lajmit të rremë, që konkuron me lajmin e ligjshëm zyrtar. Aktorë dashakeqë qeveritarë janë gjithashtu të përfshirë në krijimin dhe përhapjen e lajmeve të rreme, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.

Lajmi i rremë minon mbulimin serioz mediatik dhe e bën akoma më të vështirë për gazetarët të mbulojnë ngjarje të rëndësishme”, tha ai duke sjellë edhe shembuj.

“Fatkeqësisht, dukuria e lajmit të rremë po përhapet anembanë globit dhe po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Lajmet e rreme, apo mashtruese po përhapen në shtyp, median audio-vizuale dhe në internet.

Menaxhimi, adresimi dhe ndalimi i lajmit të rremë si një dukuri e rrezikshme minuese e demokracisë dhe pluralizmit është një detyrë dhe detyrim që merret përsipër nga shumë njerëz, para së gjithash nga vetë gazetarët.

Kur interneti u bë për herë të parë i aksesueshëm për publikun e gjerë në vitet 1990-të, qëlimi i tij kryesor ishte kërkimi dhe sigurimi i informacionit. Kur lajmi i rremë nisi të përhapej në internet, kjo e bëri të vështirë për disa njerëz që të siguronin informacion të besueshëm. Ndikimi i lajmit të rremë është shndërruar në një dukuri mbarëbotërore. Lajmi i rremë shpesh përhapet përmes përdorimit të faqeve të rreme të internetit, që, në mënyrë që të fitojnë besueshmëri, specializohen në krijimin e lajmeve që tërheqin vëmendje dhe që shpesh imitojnë burime të mirënjohura të informacionit.

Studimi ka treguar që lajmi i rremë dëmton medien sociale dhe mediet me bazë internetin edhe më rëndë sesa shtypin tradicional dhe kanalet televizive. Një sondazh i kryer ka zbuluar se 58% e njerëzve kishin më pak besim në lajmet e publikuara në mediet sociale, krahasuar me 24%  të të anketuarve që i besonin më pak medies tradicionale, pasi kishin mësuar lidhur me lajmet e rreme.

Ekspozimi i qytetarëve përballë një dizinformimi në shkallë të gjerë, përfshi edhe informacionet shpërqendruese dhe tërësisht të rreme, mbetet sot një sfidë e madhe për Europën. Komisioni Europian është angazhuar me të gjithë aktorët për përcaktimin e një plani të qartë, gjithpërfshirës dhe të gjerë masash për të përballuar përhapjen dhe efektet e dizinformimit përmes internetit në Europë dhe siguruar mbrojtjen e vlerave europiane dhe sistemeve demokratike.

Lajmi dizinformues, ose i rremë, përmban informacion plotësisht të verifikueshëm si i rremë ose i gabuar, që krijohet, transmetohet dhe shpërndahet për përfitime ekonomike, ose qëllimisht për të mashtruar publikun, duke shkaktuar për pasojë dëmtim të publikut.

Kjo dukuri po sjell ndikim edhe më të madh se kurrë më parë, pasi sot është më e lehtë për këdo për të publikuar dhe ndarë me të tjerët çdo lajm, apo informacion përmes internetit.

Media sociale dhe platformat me bazë internetin luajnë një rol të rëndësishëm në përshpejtimin e përhapjes së lajmeve të tilla dhe ato mundësojnë përhapje globale pa shumë përpjekje nga autori.

Një politikë reagimi të gjithanshëm duhet të reflektojë rolet e veçanta të aktorëve të ndryshëm (platformat sociale, mediat e lajmeve dhe përdoruesit), dhe të përcaktojë përgjegjësitë e tyre sipas një sërë parimesh orientuese. Këto përfshijnë lirinë e shprehjes, pluralizmit të medias dhe të drejtat e qytetarëve për informacion të larmishëm dhe të besueshëm.

Komisioni Europian mbështet këtë proces me aktorë të shumëfishtë, duke përfshirë edhe mediat informative, organizatat kërkimore dhe të shoqërisë civile me qëllim gjetjen e zgjidhjeve të duhura në përputhje me parimet bazë dhe të aplikueshme në të gjithë Bashkimin Europian.

Në komunikimin e tij “Adresimi i dizinformacionit në internet: një qasje europiane, Komisioni propozon një plan masash  dhe mënyrash vetë-rregullimi për të adresuar përhapjen dhe ndikimin e disinformacionit përmes internetit në Europë dhe siguruar mbrojtjen e vlerave europiane dhe sistemeve demokratike.

Katër parime qëndrojnë në thelb të këtij aksioni:

  1. Përmirësojnë transparencën sa i takon mënyrës se si informacioni prodhohet dhe shpërndahet;
  2. Diversiteti i informacionit;
  3. Besueshmëria e informacionit;
  4. Zgjidhje gjithëpërfshirëse me përfshirjen e gjerë të aktorëve të ndryshëm.

Siç Presidenti i Komisionit Europian, Juncker ka theksuar në letrën drejtuar Komisionieres për Ekonominë Digjitale, Maria Gabriel, Komisioni duhet të studiojë sfidat që platformat në internet krijojnë ndaj demokracive tona  sa i takon përhapjes së informacionit të rremë dhe të reflektojë në atë nevojitet në nivel europian për mbrojtjen e qytetarëve tanë.

Zëvendëspresidenti i parë i BE-së, Frans Timermans ka thënë: “E drejat për të marrë dhe shpërndarë informacionin dhe pluralizmi i medias janë të mishëruara në Kartën e BE-së për të Drejtat Themelore. Ne jetojmë në një epokë, kur qarkullimi i informacionit dhe disinformacionit është bërë gati-gati mbizotërues. Kjo është arsyeja përse kemi nevojë tu  japim qytetarëve tanë mjetet e duhura për identifikimin e lajmeve të rreme, rrisim besimin dhe menaxhojnë informacionin që marrin”.

Zëvendëspresidenti i BE-së Andrus Ansip, i ngarkuar për realizimin e Tregut të Përbashkët Digjital, e ka përshkruar lajmin e rremë si një problem serioz. Njëkohësisht, ai ka theksuar nevojën për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe besimit dhe gjykimit të njerëzve. Ai ka theksuar gjithashtu edukimin mediatik dhe gazetarinë cilësore si mënyra jetike për t’i dhënë zgjidhje problemit të përhapjes së lajmeve të reeme në internet.

Kështu, qytetarët, platformart e medias sociale , organizatat e medias, televizionet, shtypi, agjencitë e lajmeve, media në internet dhe analistët dhe komentatorët, studiuesit dhe autoritetet publike janë të gjithë të ftuar që të bashkojnë forcat dhe mbledhin opinione se çfarë veprimesh mund të ndërmerren në nivelin e BE-së dhe OKB-së për t’u dhënë njerëzve mjete efikase për identifikimin e informacioneve të besueshme dhe të verifikueshme dhe të përshtaten me sfidat e epokës digjitale.

Si drejtor informacioni i AFP-së,  si dhe autor i një sërë udhëzimesh të reja të etikës për AFP-në, Erik Uisharti ka thënë se AFP-ja, si një nga tre agjencitë më të mëdha botërore të lajmeve, ka një histori të gjatë si e para për të dhënë lajme historike. Të njohur në profesonin e gazetarisë si “telegrafikë”,  AFP-ja, Asoshiated Pres dhe Rojters e kanë zanafillën e historisë së tyre në gjysmën e parë të shekullit 19 dhe bashkarisht kanë dhënë të parët lajmin për ngjarje të panumërta, falë rrjeteve të tyre ndërkombëtare dhe stilit telegrafik, që siguron shpërndarje të shpejtë të informacionit te klientët.

Por kjo ka ndryshuar tërësisht me zhvillimin e medies sociale, që sot, shpesh raportojnë të parat lajme urgjente mbi ngjarje të ndryshme.

Agjencitë e lajmeve janë shndërruar njëkohësisht verifikuese dhe grumbulluese lajmesh , pasi ato përpunojnë një pafundësi raportimesh amatore nga dëshmitarë okularë, që shkarkohen në internet, dhe kjo valë e madhe e dëshmitarëve okularë dhe raportuesve amatorë  është shndërruar në një cunami disinformimi , që në rastin më të mirë mund të jetë i padëmshëm dhe argëtues, dhe në atë më të keqin mund të provokojë dhunë shoqërore, destabilizojë demokracinë dhe shkatërrojë karriera dhe jetë njerëzish”, tha ai.

Penintaex përfundoi duke i cilësuar agjencitë e lajmeve të duhurat për të luftuar disinformimin.

“Ajo që duhet të bëjnë është që të jenë fleksibël në përballimin me sukses të nevojave dhe sfidave dhe në mënyrë të vazhdueshme të përshtaten me epokën e re. Në të njëjtën kohë, atyre u duhet të gjejnë mënyra të reja qasjeje të drejtpërdrejtë me qytetarët  dhe jo përmes abonentëve, apo klientëve të tyre”, përfundoi drejtori i Përgjithshëm i agjencisë CNA të Qipros, George Pennintaex. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.