FOTO/ Lukovë- Sasaj, fshati me bukuri magjepsëse transformim rrënjësor

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/- Sasaj, fshati i bukur bregdetar, në njësinë administrative Lukovë, bashkia Himarë po transformohet rrënjësisht.

Ky fshat po pëson pas shumë kohësh një transformim nëpërmjet programit të Rilindjes Urbane, investime që po trokasin çdo ditë e më shumë në dyert e banorëve të fshatit Sasaj.

Kryetari bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, e nisi këtë javë me inspektimin e punimeve në investimet më të fundit që po zhvillohen në këtë fshat.

“Në Sasaj… aty ku njerëzit e saj të mrekullueshëm, i kanë sytë nga rruga. Nuk e di nëse keni qenë ndonjëherë në Sasaj por është vërtet bukur, por më të veçantë vizitën dhe qëndrimin në Sasaj ua bën mikpritja e banorëve. Ata janë me sy nga rruga për të dalluar ndonjë makinë që ngjitet për të ardhur në Sasaj, për ta pritur më pas ashtu siç dinë këta njerëz të mirë që meritojnë vërtet vëmendjen tonë, investime të shumëpritura prej vitesh e vitesh”, shprehet Goro.

Kryetari Goro bën të ditur se “kemi filluar me furnizimin me energji elektrike pa patur asnjë lloj ndërprerje apo defekt, fale linjës së re të tensionit të lartë si në të gjithë qendrat e banuara të bashkisë Himarë, për të vazhduar me ujësjellësin, shkollën, dhe Qendrën Shëndetësore, shumë shpejt edhe me shërbimin postar për të mos patur nevojë të zbresin në Lukovë apo Himarë”.

Një tjetër projekt, vijon ai, që po zbatohet në këtë fshat janë rikonstruksioni i rrugëve të e brendshme të fshatit, si dhe restaurimi i shtëpive karakteristike dhe kthimin e tyre në “guest-house”.

Goro thekson se “pjesë e rëndësishme janë edhe subvencionet e Qeverisë shqiptare për bujqësinë dhe blegtorinë si pjesë e integruar me atë që po ndodh së fundmi në Lukovë”.

Kryetari Goro falënderon banorët e këtij fshati të mrekullueshëm, për mikpritjen, si dhe shpreh mirënjohje për durimin e tyre, për të parë dhe prekur nga afër ndryshimin.

“Këta njerëz meritojnë me të vërtetë vëmendje maksimale dhe dedikim e përkushtim afatgjatë”, shprehet Goro.

Fshati Sasaj ndodhet midis fshatit Lukovë dhe fshatit Piqeras. Sasaj është një fshat i vogël, por me shtëpi karakteristike dhe i mbushur me një shumëllojshmëri pemësh frutore. Çdo shtëpi mund të ketë disa pemë nga më të ndryshmet dhe shumë të shijshme.

Gjithashtu nga fshati i pozicionuar në bregun malor, mund të shihet plazhi i Bunecit dhe deti i shtrirë në një hapësirë të pafundme, ashtu siç ndodh me shumicën e fshatrave të bregdetit Sarandë-Vlorë.

Mund të themi se është padyshim një fshat shumë i bukur. Aty kalon dhe një ujësjellës në kanal, që vjen nga Tatzati dhe derdhet në HEC-in që është ndërtuar në Bunec.

Kanali dhe burimet, por edhe pylli, i jep fshatit Sasaj një bukuri që të lë pa frymë./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.