“Agjencitë e lajmeve vs ‘Fake News’”, ATSH organizon konferencën ndërkombëtare në Tiranë

TIRANË, 3 dhjetor /ATSH/ Sfidat e agjencive të lajmeve përballë “fake news” kanë mbledhur sot në Tiranë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare drejtues të agjencive të rajonit dhe atyre europiane. Konferenca e titulluar “Agjencitë e Lajmeve vs ‘Fake News’” synon të krijojë kanale të reja të bashkëpunimit, në përpjekje për të ndërtuar më tej standardin e gjeneratës së tretë të medies, si domosdoshmëri në përballjen e medies me lajmin e rremë.

Të pranishëm në konferencë janë emra të rëndësishëm të agjencive të lajmeve në rajon dhe në Europë: Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së Agjencive Europiane të Lajmeve Alexander Giboi, kryeredaktori i agjencisë turke të lajmeve Anadolu Agency, Ogun Duru, kryeredaktori i agjencisë së lajmeve të Azerbajxhanit, AZERTAC, Javid Badalov.

Po ashtu, të pranishëm janë drejtorja e Përgjithshme e agjencisë rumune të lajmeve,  “Agerpres”, Claudia Nicolae, drejtori i Përgjithshëm i agjencisë greke të lajmeve ANA/MPA Michalis Psilos, dhe drejtorja për Selanikun në këtë agjenci, Sofia Papadoupolu.

Agjencia polake e lajmeve PAP, përfaqësohet nga drejtori i Përgjithshëm, Wojciech Surmacz  dhe anëtari i bordit Lukasz Swierzewski. Nga agjencia e lajmeve bullgare BTA vjen Zlatna Kostova, shefe e Marrëdhënieve me Jashtë si dhe Borana Dimitrova, drejtore e Multimedias.

Agjencia serbe e Lajmeve, TANJUG përfaqësohet me drejtoren e Informacionit, Maja Vojidovic. Agjencia qipriote e lajmeve CNA përfaqësohet në konferencë nga George Pennintaex, drejtor i Përgjithshëm. Ukraina përfaqësohet në konferencën ndërkombëtare të Tiranës nga drejtori i Përgjithshëm,  UKRINFORM, Olexander Kharcenko dhe Natalia Kostina, shefe e Marrëdhënieve  me Jashtë.

Nga Sllovakia, agjencia e lajmeve TASR përfaqësohet nga Alena Klepochova, kryeredaktore dhe Monika Himpanova, drejtore e World News Desk.

Kosova përfaqësohet me shefin Ekzekutiv i KosovaPress, Skënder Krasniqi dhe Suzana Hashani, drejtore e Përgjithshme. Nga Maqedonia vjen në konferencë anëtari i bordit të agjencisë së lajmeve MIA, Marjan Tanushevski.

Konferenca ndërkombëtare katërditore e organizuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare përveç diskutimeve, përfshin në program dhe një vizitë në qytetet e Korçës dhe Pogradecit  si një mundësi e mirë për delegacionet e huaja për të zbuluar disa nga thesaret e fshehura të Shqipërisë dhe mikpritjen e famshme shqiptare. /j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.