Arti, kultura dhe trashëgimia kulturore pjesë integrale e turizmit

TIRANË, 3 dhjetor/ATSH/ Arti, kultura dhe trashëgimia kulturore janë pjesë integrale e turizmit në Shqipëri.

Kështu deklaroi sot Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e agjencive nga rajoni dhe Europa, pjesëmarrës në konferencën e parë ndërkombëtare të organizuar sot në Tiranë, nga Agjencia Telegrafike Shqiptare me temë “News Agencies vs Fake News”.

Shqipëria, tha Kumbaro, krenohet shumë me arritjet e saj në kulturë, ndonëse jemi një vend i vogël.

“Kemi artistë të shkëlqyer në opera, artet pamore etj. Arti është pjesë integrale e turizmit në Shqipëri. Përsa i përket trashëgimisë kulturore, kemi shumë site të cilat janë nën mbrojtjen e UNESCO-s. Dua të përmend këtu Parkun Arkeologjik në Butrint. Meqë ju do vizitoni qytetin e bukur të Korçës, aty do të gjeni një nga shembujt më të mirë të Muzeve të sapo restauruar, Pazarin e rikonstruktuar përpara dy vitesh, bujtina, etj”, tha Kumbaro.

Muzeu i Korçës, sipas saj, “ka një koleksion të jashtëzakonshëm pikturash, rreth 6000 vepra arti”.

Përsa i përket atraksioneve artistike në vendin tonë, Kumbaro përmendi, Muzeun  Kontemporan të Arteve Pamore, Teatrin e Operas dhe Baletit, Galerinë e Arteve, Shtëpinë e Gjetheve.

Kumbaro foli po ashtu edhe për buxhetin për kulturën, i cili sipas saj, “në 3 vitet e fundit është trefishuar”.

“Kemi bashkëpunuar me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në restaurimin e Pazarit të Vjetër në Gjirokastër. Kemi nisur një projekt i cili përfshin shumë fshatra për t’i transformuar ato në qendra të agroturizmit. Ndërkohë BB ka pranuar të jetë partneri ynë në një projekt për trashëgiminë”, tha ajo.

Paratë nga buxheti i shtetit, sipas Kumbaros, “nuk janë asnjëherë të mjaftueshme për të mbështetur realizimin e projekteve në kulturë”.

“Sektori privat duhet të shprehë interes për të bashkëpunuar me ne në këtë fushë. Kemi miratuar një ligj për trashëgiminë kulturore dhe muzeale. Duhet të krijohen fondacione kulturore, duke u mbështetur në Partneritetin Publik Privat, në mënyrë që të bindim biznesin të investojë në kulturë”, tha Kumbaro./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.