“Unaza e Re”, Basha: Projekti pa transparencë

TIRANE, 2 dhjetor/ATSH- A. Fortuzi/ – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar protestës së paralajmëruar nga banorët e “Unazës së Re”.
Në një prononcim për mediet, Basha e cilësoi projektin e “Unazës së Madhe” si një aferë korruptive.

“E para e punës, se si do të jetë zgjidhja ua thashë edhe herën e fundit. Unë do ta anulloja këtë tender korruptiv, do të hetoja e çoja para drejtësisë dhe në burg të gjithë ata që janë përfshirë në këtë skemë të madhe korrupsioni. Do të vlerësoja projektin nga fillimi, nevojshmërinë, dobishmërinë e projektit për qytetin, për komunitetin, për transportin urban dhe interurban”, – tha Basha.
“Pasi të bindesha unë, ministri im, drejtoria e rrugëve, për vlerën e këtij projekti, do të konsultohesha me banorët, siç është e detyrueshme me ligj, do të ndaja buxhet të mjaftueshëm për shpronësimin e banorëve, duke respektuar pronën e çdo banori sipas precedentit juridik, siç e ka kushtetuta, dhe vetëm pas kësaj, do të fillonim punimet me një kosto të përballueshme për buxhetin dhe me një tender me garë. Asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur, tender nuk ka patur, garë nuk ka pasur”, – vijoi Kreu i PD.

Keru i PD u ndal edhe te shoqërimi i 5 protestuesve nga Policia e Shtetit.
“Dua të dënoj sot dhunën e ushtruar dhe mbi kameramanët, dhe mbi gazetarët. Provokimet e djeshme, shoqërimi i 5 qytetarëve, në mënyrë fare të panevojshme, është një provokim, siç më thanë qytetarët edhe sot këtu. Po mbaronte protesta, gjithçka ishte e qetë dhe në mënyrë fare të papritur, me urdhër politik, u shoqëruan 5 qytetarë që po protestonin për shtëpitë e tyre dhe u dhunuan kameramanët dhe mediat, që gjatë kohës së shoqërimit të tyre, po mundoheshin të filmonin dhe të bënin transparencën para publikut”, tha Basha./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.