Shkodër/ Zv.kryeministrja Mesi zhvillon homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ – Në përvjetorin e Çlirimit të vendit, zëvendëskryeministrja e Republikës së Shqipërisë, Senida Mesi e shoqëruar nga Komiteti i Veteranëve Shkodër dhe familjarë të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, (LANÇ) ka zhvilluar homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të qytetit të Shkodrës.

I pranishëm në këto homazhe ka qenë edhe prefekti i Qarkut Shkodër, Çesk Millja si dhe drejtues të institucioneve të ndryshme rajonale.

Në fjalën e saj, ku përkujton të rënët në luftë, Mesi përcolli mesazh për të gjithë aktorët e shoqërisë që duhet të japin maksimumin për vendin.

“Sot jemi në një realitet tjetër. Shqipëria Euroatlantike, Shqipëria në NATO, Shqipëria që punon çdo ditë me reforma për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Është detyra jonë që të bëjmë maksimumin për Shqipërinë”, tha Mesi.
E pyetur lidhur me faktin që bashkia Shkodër nuk e festoi këtë ditë dhe lidhur me deklaratën e Kryebashkiakes, që e cilësoi 29 Nëntorin si një ditë të zezë, zëvendëskryeministrja Mesi u shpreh: “Gjithmonë kemi festuar 2 ditë në nëntor. 28-29 Nëntori janë festa të të gjithë shqiptarëve. Janë festa që duhet të na bashkojnë dhe jo të përçojnë ndasi”. e.xh/e.caushi/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.