BRUKSEL – BE-ja u dhuron të rinjve 12 000 bileta udhëtimi për të njohur Europën

BRUKSEL, 29 nëntor /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian njoftoi sot se të rinjve europianë të moshës 18 vjeç do tu ofrohen 12 000 bileta udhëtimi verën e ardhshme, për të njohur më mirë BE-në në sajë të udhëtimeve, pjesë e ciklit të dytë të nismës ”DiscoverEU”.

Shtetasit e BE-së të lindur në vitin 2000 mund të aplikojnë brenda afatit deri më 11 dhjetor, individualisht apo në grupe, në një portal të dedikuar në internet (https://europa.eu/youth/discovereu_fr) për të fituar të drejtën e biletave të transportit që do t’u mundësojnë atyre të udhëtojnë deri në një muaj.

Kandidatët, të përzgjidhur në bazë të përgjigjeve të disa pyetjeve për Europën do të fitojnë të drejtën për të udhëtuar nga 15 prilli deri në fund të tetorit 2019, kryesisht me tren, me detyrimin për të udhëtuar në të paktën një shtet të BE-së, përveç shtetit ku ata banojnë./ /v.b/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.