BERZH financon 5 milionë euro për NVM në Kosovë

TIRANË, 29 nëntor /ATSH/ – Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) do të financojë një kredi prej 5 milionë euro, për zhvillimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) në Kosovë.

Në një njoftim për shtyp BERZH bën të ditur se, kredia e parë në vend është vënë në dispozicion nga BERZH dhe BE në kuadër të Programit për Mbështetjen e Konkurrueshmërisë së NVM-ve në Kosovë, në kuadër të së cilës NVM-të në Kosovë do të marrin ndihmë për përafrim me standardet e BE-së. Kredia e BERZH mbështetet me grante investuese nga BE që jepen në kuadër të Asistencës së Instrumentit Para-Anëtarësimit (IPA)”.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomive në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Me perspektivën e anëtarësimit në BE dhe presionin për rritje ekonomike, përfshirë konkurrencën nga tregjet në zhvillim, konkurrueshmëria e NVM-ve vendore varet nga përmirësimi i cilësisë së produkteve përmes inovacionit dhe zgjerimit të tregut të eksportit. 

Për këtë qëllim, BERZH lançoi vazhdimin e programit të parë të konkurrueshmërisë, Programi i Mbështetjes së Sektorit Privat i BE/BERZH, në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitin 2015.

BERZH ka filluar të investojë në Kosovë në vitin 1999. Deri më sot, Banka ka nënshkruar 59 projekte në vend me një vëllim të përgjithshëm të financimit prej 342 milionë eurosh. Kosova është bërë anëtare e BERZH-it dhe shtet ku BERZH operon në dhjetor 2012. e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.