Presidenti Meta, pritje shtetërore për Ditën e Pavarësisë

TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Presidenti Ilir Meta dha sonte në mbrëmje në Pallatin e Brigadave pritjen shtetërore me rastin e festës kombëtare të Ditës së Pavarësisë dhe të Flamurit, ku të pranishëm ishin Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri Edi Rama, deputetë të Kuvendit, anëtarë të Qeverisë, ish-presidentë, ish-kryeministra, drejtues dhe përfaqësues të bashkësive fetare, ish-presidenti kroat Mesiç, ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, akademikë, drejtues institucionesh dhe arsimit të lartë, intelektualë, artistë, përfaqësues të familjeve dhe trashëgimtarë të atdhetarëve nënshkrues të Aktit të Pavarësisë, përfaqësues nga Kosova dhe bashkatdhetarë të shumtë nga e gjithë Diaspora shqiptare, arbëreshë si dhe miq të ndryshëm të Shqipërisë nga mbarë bota.

“Është një ngjarje që na bën të ndihemi mirënjohës pafund për Rilindasit tanë të mençur, trima dhe të ditur që pavarësuan Shqipërinë në një prej periudhave më të vështira të ekzistencës dhe të historisë së saj”, – e nisi Presidenti fjalën e tij në ceremoni.

Meta theksoi se në rrugëtimin e tij historik e kulturor, populli shqiptar është një prej identiteteve më autoktone dhe autentike në Europë.

“Kthimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve në familjen europiane është një mision ende i papërmbushur tërësisht për ne”, – theksoi Presidenti, duke shtuar se shqiptarët kanë nevojë për forcimin e bashkëjetesës demokratike, për një klimë politike konstruktive, për një paqe sociale ku respekti ndaj lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor duhet të jetë prioritet i të gjithëve.

“Duhet reflektim nga të gjithë, për një mjedis më bashkëpunues, më gjithëpërfshirës, për më shumë siguri juridike për pronën, për punën dhe të drejtat e njeriut. Funksionimi i shtetit ligjor dhe institucioneve të pavarura kërkon dialog dhe bashkëpunim të qëndrueshëm mes shumicës dhe opozitës”, – tha Meta. Presidenti vazhdoi duke nënvizuar se shpresa dhe entuziazmi ishin tiparet zotëruese të shqiptarëve dhe liderëve të tyre në shekujt e errët dhe tragjikë të historisë.

“Shpresa dhe entuziazmi na nevojiten sërish më tepër se kurrë për motivimin dhe ngjalljen e energjive të reja dhe më pozitive drejt të ardhmes Europiane të Shqipërisë”, – tha ai.

“Një Shqipëri e lirë, sovrane, demokratike dhe e zhvilluar, tërësisht e integruar në familjen Europiane është burim krenarie dhe frymëzimi për të gjithë bashkëkombësit tanë kudo në botë”, – përfundoi Presidenti Meta fjalën në pritjen shtetërore me rastin e festës kombëtare. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.