BE – Brukseli: Italia duhet të bëjë korrigjime thelbësore të buxhetit

BRUKSEL, 28 nëntor /ATSH-DPA/ – Italia duhet të bëjë ndryshime thelbësore në projektbuxhetin e saj për vitin 2019 për të shmangur veprimet ndëshkuese nga Brukseli, deklaroi sot zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis.

Ekzekutivi i Bashkimit Europian kërcënoi se do të ndërmarrë masa kundër Romës sepse po planifikon një deficit prej 2,4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për vitin e ardhshëm, duke shkelur rregullat e eurozonës mbi buxhetin.

Në ditët e fundit, duket se Roma po shqyrton të ndryshojë shpenzimet në mënyrë që të ulë deficitin e planifikuar me 0,2%. Por kjo përpjekje nuk është mjaftueshëm.

“Është e qartë që duhet një korrigjim thelbësor i trajektores fiskale, jo margjinal”, tha Dombrovskis për gazetarët në Bruksel. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.