Sllovenia, mbështetje të qartë Shqipërisë në rrugën drejt BE

TIRANË, 27 nëntor /ATSH-Gjergji Mima/ – “Sllovenia është një vend mbështetës në procesin e zgjerimit, një vend mbështetës për Shqipërinë, mbështetje, e cila është demostruar në 2014-ën në momentin që Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat, por edhe gjatë diskutimeve të zjarrta në Këshillin e kaluar në qershor ku Sllovenia u rendit qartë në grupin e vendeve mbështetëse për Shqipërinë”.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në një takim ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, Miro Cerar.

Bushati theksoi se u zhvillua një bashkëbisedim i frytshëm edhe sa i përket bashkëpunimit në organizatat ndërkombëtare
“Vendi ynë ka shprehur ambicien për të marrë drejtimin e OSBE-së në 2020 dhe Sllovenia e mbështet këtë kandidaturë”, – tha Bushati.

“Kemi diskutuar për angazhimin tonë të përbashkët në OKB. Në ministerialin e ardhshëm të NATO-s ku Shqipëria dhe Sllovenia bashkëpunojnë, kryesisht për sfidat që ndeshet mjedisi në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Juglindore”, – theksoi ministri Bushati.

Në planin ekonomik, Bushati u shpreh se “sot kemi mundësinë që së bashku me komunitetet e biznesit nga dy vendet tona të mbajmë, një forum biznesi në Tiranë dhe shpresojmë që të jetë një sinjal i qartë, një shkëndijë inkurajuese për të shtuar vëllimet tregtare mes dy vendeve dhe për të rritur bashkëpunimin ekonomik, i cili për hir të së vërtetës nuk reflekton marrëdhënien shumë të mirë në planin politik mes dy vendeve tona”.

Bushati nënvizoi se, pjesë e diskutimit sot ishte dhe analiza dhe vështrimi për situatën e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.

“Me kënaqësi konstatoj që ka një mendësi sa ai përket mënyrës sesi Shqipëria dhe Sllovenia shohin shumë zhvillime në rajon dhe shprehim vullnetin tonë për të vijuar punën bashkërisht, për të dhënë kontributin e duhur për forcimin e mëtejshëm për stabilitetin demokratik të rajonit dhe për të siguruar perspektivën europiane dhe euro-atlantike të të të gjitha vendeve të rajonit”, – tha Bushati. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.