TIRANE, 26 nëntor/ATSH/- “Rruga e së ardhmes nuk mund të ndërtohet me thika pas shpine ndaj shqiptarëve”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij kosovar, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive zhvilluar në Pejë.
Rama vuri në dukje se përpjekja më e fundit për ta penguar Kosovën është anëtarësimi në Interpol.
“E ardhmja kërkon që të mos ketë barriera tarifore dhe jo tarifore dhe këtu sjell në vëmendje atë moment që ka krijuar shumë debat, që lidhet me tarifën 100% të vendosur nga qeveria e Kosovës, e cila, e përsëris, nuk është një veprim ekonomik, por është një reagim i qartë politik dhe një ftesë për Serbinë për të zbritur me këmbë në tokë dhe për të kuptuar se rruga e të ardhmes nuk mund të ndërtohet me thika pas shpine ndaj shqiptarëve dhe me procese reaksioni negativ, sa herë që Kosova shfaqet për të marrë një certifikatë hyrjeje në një institucion ndërkombëtar. Më e fundit, përpjekja e bërë për ta penguar Kosovën të hyjë në Interpol është një përpjekje e radhës, e pajustifikueshme, pasi në fund të fundit është hyrja në një organizim global për të luftuar krimin”, – deklaroi Kryeministri Rama./a.g/
