Derbi “Partizani-Tirana”, zbulohen çmimet e biletave

TIRANË, 26 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/- Derbi i kryeqytetit është gjithnjë një sfidë e paparashikueshme, e cila përjetohet me “zjarr” nga të dyja tifozeritë, si dhe lojtarët e skuadrave përkatëse.

Java e derbit është gjithnjë java e polemikave, të cilat sheshohen pas vërshëllimës së parë të gjyqtarit dhe vijojnë edhe më shumë pas vërshëllimës së fundit të tij. “Partizani” javët e fundit ka vendosur diktatin, duke fituar thuajse gjithnjë, por “Tirana” nuk ka ndërmend të vijojë të shohë kundërshtarët teksa i gëzohen fitoreve dhe do tentojë t’i ngrijë buzëqeshjen skuadrës që momentalisht kryeson klasifikimin.

Klubi i kuq, në cilësinë e organizatorit të takimit, ka publikuar sot edhe çmimet e biletave për tribunën qendrore dhe ato të tjera, si për tifozerinë e kuqe, ashtu edhe për atë bardheblu. Drejtuesit e Partizanit kanë vendosur që një biletë në tribunat qendrore, konkretisht A1, A2, B1 dhe B2 të shitet në vlerën e 2000 lekëve të reja, ndërsa tribunat e tjera të shiten në vlerën e 500 lekëve të reja. Gjithashtu janë ndarë edhe tribunat që do të jenë në dispozicion të tifozerisë mike, dhe do të jenë pikërisht tribunat A1, A2, H1 dhe H2, ndërsa të tjerat do të jenë për tifozerinë e kuqe.

Derbi i kryeqytetit do të zhvillohet ditën e premte, në orën 18:00 dhe për 90-të minuta fjala do të jetë vetëm e protagonistëve, ndërsa tifozët do duhet të presin fundin e kohës së rregullt për të vijuar debatin e tyre “tradicional”. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.