Memorial për fëmijët e vdekur në kampin e internimit të Tepelenës

TIRANË, 24 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Ministria e Kulturës ka shpallur vendimin e miratimit të projektit “Memoriali i fëmijëve të Vdekur në kampin e internimit Tepelenë”, kërkesë e bërë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Në kuadër të kurimit të së shkuarës qeveria vazhdon procesin e dekomunistizimit, jo vetëm duke nxjerrë në dritë krimet e diktaturës por më një program të qartë për ngritjen e zonave muzeale, gjetjen e varreve të humbura dhe ngritjen e memorialit në vendet e vuajtjes së dënimit apo kampet e internimit me tela dhe ato me punë të detyruar.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit jep lajmin e shumëpritur se “ka mbërritur Vendimi nr. 431, datë 13.11.2018, “Për miratimin e projektit të restaurimit”, në përgjigje të kërkesës së dërguar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Kulturës, ku është vendosur: Miratimi e projektit “Memoriali i fëmijëve të Vdekur në kampin e internimit Tepelenë”.

Vendimi materializon përpjekjet e deritanishme të Autoritetit për muzealizimin e Kampit të Tepelenës, në kuadër të projekteve të kujtesës të ndërmarra nga ky Institucion.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, është institucioni shtetëror, përgjegjës për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, dhe bazuar ne ligj “Për ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare të OKB-së “Për mbrojtje e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë”, ka miratuar, me Vendimin nr. 54 datë 10/08/2017, realizimin e Projektit të kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës së detyruar” dhe ngritjen e grupit të punës për realizimin e këtij projekti.

Memoriali është pjesë e Programit të Qeverisë 2017-2021. Projekti u miratua me Vendim të Këshillit Bashkiak, Tepelenë. Ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, dizenjimin, pozicionimin dhe mbjelljen e 300 fidanëve qiparis në përkujtim të fëmijëve që kanë humbur jetën nga kushtet e vështira në Kampin e Tepelenës dhe janë pa një vendvarrimi.

Ndërtimi i këtij memoriali shënon vetëm hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste.

Projekti i kujtesës “Memoriali Kombëtar i Kampeve të Punës të Detyruar” është prezantuar publikisht në Tepelenë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Autoritetit, kryetarit të Bashkisë Tepelenë, z. Tërmet Peçi, ambasadorit të Kombeve të Bashkuara në Tiranë, z. Brian Ëilliams dhe zv. /ambasadorit të Prezencës së OSBE, z. Robert Wilton, në prani të të mbijetuarve dhe trashëgimtarëve të tyre, qytetarëve të Tepelenës, historianëve e studentëve, përfaqësuesve të institucioneve publike dhe joqeveritare, organizatave kombëtare e ndërkombëtare dhe medias.

Për të realizuar këtë projekt AIDSSH ka firmosur disa marrëveshje bashkëpunimi me partnerë, të cilët ndihmojnë në mbledhjen e dokumenteve dhe të dhënave zyrtare si dhe në ndërgjegjësimin qytetar dhe edukimin shoqëror, nëpërmjet rishqyrtimit të historisë dhe rivlerësimit të saj.

Kapi i Tepelenës është konsideruar ferri i të përndjekurve politikë të regjimit komunist, sot në një vend ku lexohet e shkuara si një mundësi që regjime të tilla, si diktatura të mos kthehen më. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.