Zgjedhjet vendore – Rama: Do të fitojmë bashkinë e Kukësit

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ – Në zgjedhjet vendore të 2019 Partia Socialiste do të fitojë Kukësin.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në emisionin “JAVA” nga Lorenc Vangjeli në Radio Televizionin Shqiptar.

“Në zgjedhjet e 2019 do të kemi rikandidime e ndryshime. Nuk dua të hyj në emra. Kemi disa emra që i kemi të fiksuar, por për të respektuar procesin nuk dua të them emra”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “kemi një numër kryetarë të bashkive që meritojnë respekt, pra nuk kemi pse dallojmë njërin nga të tjerët, pavarësisht se disa prej tyre e kanë siguruar me punë mbështetjen tonë”.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “në mbledhjen e parë të kryesisë së partisë pas pushimeve të 2017, ne kemi pasur temën e punës edhe për organizimin e zgjedhjeve të 2019, kemi filluar përgatitjet që vjet. Jemi në fazën që po shkojmë 35-40% të punës dhe kemi filluar të identifikojmë kandidatët”, – theksoi Rama.

Lidhur me transformimin e qyteteve Rama tha se “shumë njerëz nuk e kishim menduar se do të bëheshin një sërë ndryshimesh si p.sh. në Fier. Sot ndalova në qendër të qytetit për të parë zhvillimet aty. Lumi i Gjanicës ishte burim përmbytjesh dhe ere të keqe, nuk kaloje dot. Edhe aty kemi prishur dhjetëra godina, janë dëmshpërblyer ata që i kishin me letra, të tjerët me bonus qiraje. Por nuk u ngritën në protesta, si këtu në Tiranë”.

Sot, shtoi ai, ura mbi Gjanicë është e mbushur me njerëz, është vërtet një spektakël.

“Të gjitha qytetet janë transformuar”, – theksoi Rama.

“Qytetarët e Vlorës s’kanë pasur shumë besim, kur unë u kam kërkuar votën për kryetarin e bashkisë, por nuk e kishin menduar Lungomaren”, – tha Rama. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.