Riparohen plasaritjet e izoluara në segmentin Tre Urat – Çermë Sektor

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/-Në segmentin Tre Urat – Çermë Sektor në Unazën Bujqësore të Divjakës përfunduan riparimet e nënbazës, ndërsa shumë shpejt fillon puna edhe për sinjalistikën horizontale.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit bën të ditur se projekti i Unazës Bujqësore të Divjakës ka nisur ndërtimin në mars të vitit 2015 dhe ka përfunduar në korrik të vitit 2016.

E gjithë unaza kalon nëpër zonë kënetore dhe rreziku i cedimit të rrugës është shmangur që në fazën e projektimit për pjesën më të madhe të objektit.

Riparimet u ndërmorën pas disa plasaritjeve të izoluara nga 1 – 20 metra katrorë në pjesë të ndryshme përgjatë segmentit Tre Ura – Çermë Sektor.

Sipas FSHZH, problematika është shfaqur gjatë vitit 2017 dhe është mbajtur vazhdimisht nën kontroll nga një grup pune i ngritur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me inxhinierë ndërtimi dhe gjeologë.

Këta të fundit kanë mbajtur vazhdimisht nën vëzhgim pikat ku janë shfaqur problemet dhe përcaktuan riparimet përfundimtare të nevojshme, që u kryen dy muaj më parë.

Për të siguruar qëndrueshmëri dhe uniformitet me pjesën tjetër të unazës gjatësia e riveshur me asfalt është rreth 6 km.

Unaza Bujqësore e Divjakës është një projekt i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për llogari të qeverisë shqiptare. Objekti është në fazë garancie, çka do të thotë që kostoja për të gjitha riparimet përballohet nga firma e kontraktuar. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.