Amendamenti, studim fizibiliteti për rrugën Krujë–Tiranë

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ – Deputetët e Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni dhe Ilir Beqaj depozituan sot amendamentin për projektligjin “Për buxhetin e vitit 2019″, për financimin e “Studim fizibiliteti për rrugën Krujë–Tiranë”.

“Momentalisht, distanca nga Tirana për në Krujë përshkohet për rreth 40 minuta, për arsye të trafikut të rënduar që kalohet në aksin nacional në Fushë-Krujë. Edhe përfundimet e investimeve të reja infrastrukturore, nuk pritet të bëjnë një reduktim të ndjeshëm të kohës së udhëtimit për në qytetin turistik të Krujës. Për këtë arsye, konkretizimin e idesë së 30 viteve më parë, për të lidhur direkt Tiranën me Krujën me një rrugë që përshkohet në jo më shumë se 20 minuta, mbetet ende aktuale”, bën të ditur Gjermeni.

Sipas saj, nëse distanca Tiranë–Krujë, do të përshkohet në jo më shumë se 20 minuta oferta turistike e Krujës do të bëhet pjesë integrale e ofertës turistike të Tiranës dhe gjithë destinacionet turistike të Krujës do të jenë lehtësisht të aksesueshme, qoftë kështjella mesjetare dhe dy muzetë unikë të Krujës, qoftë objekti fetar i Sarisalltikut dhe më tej qoftë Parku Kombëtar i Qafë-Shtamës, do të jenë shumë më lehtë të arritshme nga turistët vendas e të huaj.

Gjithashtu, sqaron Gjermeni, në momentin që rruga Tiranë-Krujë do të jetë e përfunduar, çelet perspektiva që të rikonstruktohet edhe pjesa e mbetur e rrugës që lidh Krujën me Burrelin, ndërsa pjesa tjetër e rrugës është asfaltuar në Parkun Kombëtar të Qafë-Shtamës.

Deputetja e PS-së Gjermeni shprehet se “lidhja e Tiranës me Krujën dhe e Krujës me Burrelin është edhe dëshmi e nxitjes së zhvillimit rajonal në një zonë të caktuar, pasi rruga përshkon tri qarqe: Tiranë, Durrës dhe Dibër”. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.