“Unaza e Re”, Balla: PD vendosi t’u shembë ndërtesat, bashkia trajtim social për banorët

TIRANË, 22 nëntor/ATSH – I. Vata/ – Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla i ftuar në mbrëmjen e së enjtes në studion e “ABC News”, tha se gjurma e rrugës u vendos në kohën e qeverisë së Berishës, kur Basha ishte ministër.

Balla shtoi se nuk kemi nga buxheti i shtetit të japim 30 milionë dollarë për dëmshpërblimin e banorëve të Unazës së Re, por do të ketë trajtim social për tre vite dhe të përfshirë në skemën e banesave sociale.

“Personat që protestojnë janë disa persona që ndërtimin pa leje, uzurpimin e tokës publike e kanë të përsëritur. Duhet të kuptojmë, se në Shqipëri 23 vite tranzicion ka patur pafund ndërtime pa leje, pas 2013 numri i ndërtimeve pa leja ka shkuar zero. Personat që kanë ndërtuar aty kanë qenë të skualifikuar për të ndërtuar aty, dhe këtë vendim e ka marrë qeveria e Sali Berishës kur Lulzim Basha ishte ministër”.

Më tej, Balla shton së këto ndërtime janë bërë pas viti 2006 duke e ditur se nuk lejohet. Ajo që është e rëndësishme është se çfarë çlirimi merr Tirana me çlirimin e kësaj rruge. Vij nga Kuvendi, ku miratuam buxhetin e shtetit në parim, por po ju them se 30 milionë dollarë për buxhetin e shteti për dëmshpërblimin e tyre janë të pamundura.

Uzurpuesit me nga 5-6 kate nuk kanë për të marrë asnjë lek, sepse e kanë ndërtuar pa leje, por për ata ka një politikë sociale nga bashkia e Tiranës me një bonus në tre vitet e para dhe pastaj do të trajtohen me banesa sociale, por ne nuk mund të mbajmë peng zhvillimin e Tiranës.

“Shenja e rrugës është caktuar në vitin 2007. Pse nuk protestoi Basha në vitin 2012? Thirrja ime ndaj qytetarëve është, për qytetarët që kanë banesën e jetës së tyre trajtimi do jetë social, mbështetës”, tha ai.

Në vijim Balla shtoi se ajo që dua të them, është se jam i sigurtë që njerëzit e thjeshtë dinë ta bëjnë dallimin, por habia është pse deputetët e PD-LSI nuk vijnë në Kuvend të diskutojmë t’u japim 30 milionë dollarë dëmshpërblim banorëve.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.