Protesta, Meta: Nxitësit e dhunës të izolohen

TIRANË, 22 nëntor /ATSH – I. Vata/ – Presidenti Ilir Meta ka reaguar për protestën e banorëve të Unazës së Re para Kuvendit të Shqipërisë, duke dënuar çdo akt dhune si dhe duke iu bërë thirrje palëve politike të distancohen nga aktet e dhunës.

Në reagim thuhet se presidenti Ilir Meta po ndjek me shqetësim dhe vëmendje zhvillimet e protestës së zhvilluar sot para Kuvendit të Shqipërisë nga qytetarët e prekur nga projekti i ndërtimit të Unazës së Re në Tiranë.

Presidenti Meta shpreh keqardhjen më të thellë për aktet e dhunshme të shfaqur gjatë kësaj proteste dhe u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të shmangin çdo përplasje dhe të vendosin sa më parë një dialog institucional, në mënyrë që ankesat e banorëve të shqyrtohen duke i dhënë një zgjidhje kësaj situate.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur keqardhje për të lënduarit në protestë.

“Pasi u njoh me raportimet, se disa efektivë të Policisë së Shtetit dhe protestues paqësorë janë lënduar sot para Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës shpreh keqardhjen më të thellë dhe iu uron shërim sa më të shpejtë”, shprehet institucioni i Presidentit.

Në reagimin e Presidentit Meta dënohet çdo akt dhune si dhe iu bëhet thirrje aktorëve të distancohen nga dhuna.

“Presidenti Meta dënon aktet e dhunshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve të distancohen menjëherë nga dhuna dhe të bëjnë maksimumin për të shmangur konfliktin dhe gjuhën e forcës së përdorur në këtë çështje”, thekson Presidenti.

Po ashtu, Presidenti Meta gjen rastin t’u bëjë apel sërish institucioneve shtetërore të zbatojnë me përpikmëri procedurat ligjore dhe kërkon urgjentisht rivendosjen e dialogut me banorët e prekur nga ky projekt, për të gjetur një zgjidhje të drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik.

Në reagimin e Presidentit Meta nuk mungon thirrja për dialog mes palëve politike.

Presidenti i Republikës i bën thirrje politikës të tregohet e kujdesshme dhe të japë mesazhe bashkëpunimi e dialogu, ndërkohë që nxitësit e dhunës duhet të izolohen.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.