Ligji i 2006-s ndalon legalizimin e ndërtimeve, aty ku ka interes publik

TIRANË, 22 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Nëse kërkohet që të dëmshpërblejmë çdo zaptues të territoreve me interes publik, nuk do t’ia dalim as me buxhetet e 25 viteve të ardhshme”.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se “nëse ndodh kjo atëherë nuk do të bëjmë dot asnjë kopsht, shkollë, apo çerdhe”. “Kjo nuk bëhet dhe për më tepër te Unaza e Tiranës”, tha Kryeministri, duke iu përgjigjur çdo teorie që ka dalë për dëmshpërblime pa kriter.

Kryeministri kujtoi se ligji i legalizimeve është votuar në vitin 2006, “dhe pikërisht ky ligj  i i bërë nga ‘Kadri Saliu’ ndalon rreptësisht legalizimin e çdo ndërtimi aty ku ka interes publik”.

“Po ashtu me një nen të shtuar nga Saliu, ligji ndalon legalizimin në truall me pronar. Shtrati i Unazës së Madhe është i gjithi me pronar”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se ka një pjesë tjetër qytetarësh që tek Unaza e Re kanë të drejtat e tyre, dhe ata janë pronarët e vjetër.

“Këta që i përmenda kanë zaptuar prona të pronarëve të vjetër. Ku janë shoqatat e pronarëve, që duan edhe Amfiteatrin e Butrintit? Pse nuk flasin sot?” – tha Rama.

Ndërkohë, sipas Kryeministrit, te “Unaza e Re ka 40 godina që sot gëzojnë titull pronësie, dhe do të dëmshpërblehen si pronarë të rregullt, por që janë legalizuar në periudhën  korrik-shtator 2013, pikërisht atëherë kur mbi 1 milion shqiptarë i thanë Kadri Saliut largohu. Këto 40 godina do të shpronësohen me taksat e mësuesve, infermierëve, mjekëve, ushtarakëve dhe të gjithë atyre që kontribuojnë për këtë vend”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.