Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, rritje me 1,25% të prodhimit të brendshëm bruto

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – “Buxheti i vitit 2019 për Ministrinë e Mbrojtjes është rritur në 1,25% të prodhimit të brendshëm bruto, siç është edhe angazhimi ynë në NATO për këtë vit”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, në fjalën e saj në Kuvend në diskutimin e buxhetit 2019.

“Ky buxhet është pa diskutim një vlerësim i qeverisë për Ministrinë e Mbrojtjes që ka marrë shumë përgjegjësi në sigurinë e brendshme të vendit krahas detyrave tradicionale të mbrojtjes”, – theksoi Xhaçka.

Ministrja bëri të ditur se “një rritje e tillë është edhe konfirmim i vijimit të angazhimeve politike të vendit tonë ndaj NATO-s në përmbushje të vendimeve të Samitit të Uellsit dhe të kërkesave konstante të drejtuesve të Aleancës për rritjen graduale të buxhetit të mbrojtjes të vendeve anëtare për të arritur nivelin 2% të prodhimit të brendshëm bruto deri në 2024”.

Sipas saj, me këtë buxhet do të rritet niveli i trajtimit dhe motivimit të ushtarakëve si në aspektin financiar, edhe në aspektin e modernizimit të trajnimit dhe kualifikimit të tyre, sipas standardeve më të mira të NATO-s.

“Vëmendja jonë kryesore do të jetë trajtimi i gradave të ulëta duke filluar nga ushtarët, paga e të cilëve do të pësojë një rritje deri në 19%, duke vijuar më tutje me gradat e tjera, të cilët do të përfitojnë një rritje të përshkallëzuar”, – tha Xhaçka.

Ministrja Xhaçka u shpreh se “nga rritja e pagave për vitin 2019 do të përfitojnë rreth 6800 ushtarakë, sikurse do të përfitojnë vështirësinë në punë edhe profesione e kategori shumë të rëndësishme për Forcën tonë të Armatosur si pilotët, mjekët dhe infermierët, Forcat Speciale dhe ato të Sigurisë”.

Sipas saj, ky buxhet do të rregullojë edhe më mirë balancën ndërmjet zërave buxhetorë me tendencë rritjen e shpenzimeve kapitale, me qëllim që t’i kushtohet më shumë vëmendje programeve të modernizimit në pajisje dhe infrastrukturë, pasi një forcë e armatosur nuk mund të kryejë detyrat e saj pa u pajisur me mjetet e duhura.

“Ndër objektivat kryesore të modernizimit që do të mbështesë buxheti i 2019, krahas modernizimit të grupbatalionit të këmbësorisë së lehtë një angazhim në NATO, që tanimë është certifikuar si i ndërveprueshëm dhe i gatshëm për detyrat e përbashkëta do të vazhdojmë të investojmë edhe tek sistemet e komunikimit, vënien në funksion të sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore dhe të përmirësimit të hapësirës detare, të cilat janë mjaft të rëndësishme për aspektet e sigurisë së vendit dhe për kontributin tonë në arkitekturën tonë të sigurisë së Aleancës”, – nënvizoi Xhaçka.

Xhaçka theksoi se “investimi i NATO-s në bazën e Kuçovës krahas rritjes së sigurisë të vendit tonë do të sjellë me vete përfitime të shumëfishta, duke krijuar mundësi të reja dhe më shumë frymëmarrje zhvillimit ekonomik dhe social jo vetëm të zonës, por ndoshta më gjerë”.

Përmes vendosjes së bazës së NATO-s në vendin tonë aleanca ka nënvizuar lidershipin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon për mbrojtjen e sigurinë”, – shtoi ajo.

Ministrja u shpreh se “vendi ynë ka hyrë në një fazë tjetër marrëdhëniesh me aleancën ka hyrë në një fazë maturie si anëtar serioz, i përgjegjshëm dhe i besueshëm me kontribute të qenësishme dhe të vlerësuara nga Aleanca”.

“Pikërisht kjo fazë e re marrëdhëniesh që dikton më shumë seriozitet, jo vetëm për të përmbushur objektivat tona kombëtare, por edhe detyrimet dhe angazhimet që kemi ndaj Aleancës”,

Ministrja e Mbrojtjes tha se “përveç ndërhyrjeve në përballimin e emergjencave civile do të kryejmë edhe siç kemi nisur punime parandaluese dhe rehabilituese për parandalimin apo minimizimin e emergjencave civile, falë mbështetjes buxhetore do të jemi gjithnjë e më shumë të aftë të menaxhojmë projekte që ulin riskun e fatkeqësive natyrore për të parandaluar sa më shumë të jetë e mundur incidencën e tyre”.

“Me buxhetin e 2019 përveç përmbushjes së misionit tonë kushtetues FA do të jenë shumë më pranë komunitetit me ndërhyrje në infrastrukturë, në zonat e thella me ndërtimin e urave Baily me pastrime të hot spoteve, largimin e masiveve shkëmbore, që bllokojnë akset rrugore apo që përbëjnë kërcënim për jetën e qytetareve edhe vizita të mjekëve e infermierëve tanë për të asistuar në zonat e thella. Të gjitha këto angazhime FA nuk mund të konsiderohen thjesht konsumatorë të buxhetit të shtetit, por ato po bëhen gjithnjë e më tepër kontributorë faktikë dhe të rëndësishëm të sigurisë së brendshme të shërbimit ndaj komunitetit, si dhe rritjen e cilësisë së jetës, për qytetarët tanë”, – tha Xhaçka. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.