3.15 miliardë lekë për infrastrukturën e spitaleve në vitin 2019

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/.- Gjatë vitit 2019 do të investojmë 3 miliardë e 150 milionë lekë në infrastruktrën fizike të spitaleve, deklaroi sot në Kuvend ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Në fjalën e saj gjatë diskutimit të buxhetit 2019, Manastirliu tha se “do të investohen 20% më shumë krahasuar me vitin 2018”.

“Këto investime nuk do të jenë vetëm në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, por edhe në të gjitha spitalet e vendit dhe mbi të gjitha në rrjetin e materniteteve”, nënvizoi ajo.

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se 5 maternitetet ku do të fillojnë investimet në vitin 2019 janë maternitetet e Lezhës, Beratit, Pogradecit, Matit dhe Kukësit.

Por, shtoi ajo, politika jonë për kujdesin ndaj nënës dhe fëmijës nuk ndalet këtu.

“Duke filluar nga konsultoret dhe me bonusin e bebes, që është një hap tjetër drejt mbështetjes së familjes, nënës dhe fëmijës do të kenë impakt të drejtpërdrejtë 30 mijë familje që do të gëzohen me fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë me këtë politikë sociale”, tha Manastirliu. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.