Tirana kryeqendër e mbi 300 bizneseve dhe sipërmarrjeve nga 20 shtete të botës

Tirana kryeqendër e mbi 300 bizneseve dhe sipërmarrjeve nga 20 shtete të botës

Tirana kryeqendër e mbi 300 bizneseve dhe sipërmarrjeve nga 20 shtete të botës.https://ata.gov.al/2018/11/21/tirana-kryeqender-e-mbi-300-bizneseve-dhe-sipermarrjeve-nga-20-shtete-te-botes/Mbi 300 biznese dhe sipërmarrje vendase dhe të huaja nga 20 shtete të botës, deri nga Kina e largët, marrin pjesë në edicionin e 25-të, të Panairi Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Ekspo Group”.Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, ngjarja më e madhe e sipërmarrjes në Shqipëri ka hapur siparin e tij pasditen e së mërkurës, në një ceremoni ku ishin të ftuar përfaqësues të qeverisë shqiptare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe përfaqësues të botës së biznesit nga vendi, rajoni dhe bota.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on E mërkurë, 21 Nëntor 2018

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – Mbi 300 biznese dhe sipërmarrje vendase dhe të huaja nga 20 shtete të botës, deri nga Kina e largët, marrin pjesë në edicionin e 25-të, të Panairi Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga “Klik Ekspo Group”.

Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, ngjarja më e madhe e sipërmarrjes në Shqipëri ka hapur siparin e tij pasditen e së mërkurës, në një ceremoni ku ishin të ftuar përfaqësues të qeverisë shqiptare, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, si dhe përfaqësues të botës së biznesit nga vendi, rajoni dhe bota.

Këtë vit, Klik Ekspo Group vjen në një përvjetor të veçantë, me 25 vite mbi supe, një rrugëtim i gjatë që ka shënjuar një epokë më vete në ekonominë shqiptare, me sjelljen në Shqipëri të qindra sipërmarrësve të huaj, të cilët kanë vendosur të investojnë në vendin tonë në fusha të ndryshme si turizmi, energjetika, bujqësia, blegtoria, industria agrorushqimore dhe teknologjia.

Presidenti i Klik Ekspo Group, Luan Muhametaj në çeljen e ceremonisë, i uroi mirëseardhjen kompanive pjesëmarrëse dhe gjithë të ftuarve të tjerë, ndërsa theksoi se ky është një përvjetor i veçantë për ekspozues e miq nga bota mbarë. 

E gjitha kjo më bën të mendoj që guximi dhe misioni i atij “grushti” sipërmarrësish të parë që ekspozuan në Piramidën e atëhershme 25 vjet më parë, sot do të quhej i përmbushur. Ballkani si asnjëherë më parë në simbioze e sinergji, me kompani simotra e me projekte ndërkufitare. Nuk ka dallim këtej e përtej e Adriatikut, miqtë nga Kina e Japonia misionarë të mendësisë së re globale. Ky është përvjetori juaj aq sa është dhe i Klik-ut”, – u shpreh Muhametaj.

E ftuar në këtë panair ishte edhe ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato e cila e vlerësoi maksimalisht Panairin Klik Ekspo, duke e cilësuar si katalizator të rëndësishëm të sipërmarrjes në vendin tonë.

“Panairi Klik Ekspo vjen si një katalizator i rëndësishëm i komunitetit të sipërmarrjes ne Shqipëri, duke i shërbyer sipërmarrjes vendase për të krijuar partneritete të reja, të cilat do të shërbejnë për të zgjeruar aktivitetet përtej tregjeve aktuale. Shumë ekspozues të huaj me synim investimet në Shqipëri, nëpërmjet këtij panairi kanë parë ndër vite me interes të veçantë bashkëveprimin me institucionet dhe autoritetet shtetërore shqiptare, për t’u informuar mbi politikat në mbështetje të biznesit dhe investimeve të huaja, partneritetit publik-privat, paketat fiskale, përfitimet dhe lehtësimet në sektorët kryesorë, procedurat e delokalizimit, e nga ana tjetër sipërmarrësit shqiptare i kanë kushtuar vëmendje të veçantë kërkimit të partnerëve për ndërkombëtarizimin dhe formulat lehtësuese për prodhuesit vendas”, – u shpreh Qato.

Sipas Qatos në këto 25 vite, Klik Ekspo Group, ka bërë një rrugëtim të gjatë dhe tashmë është kthyer në një eveniment ekonomik të rëndësishëm jo vetëm për rajonin, por dhe më gjerë.

“Ajo çka i ka munguar biznesit shqiptar për vite me radhë ka qenë pikërisht orientimi i saktë i sektorëve strategjikë ku biznesi duhet të investojë. Qeveria shqiptare sot i ka evidentuar këto sektorë, duke hartuar strategji dhe paketa të mirëfillta në favor të këtyre investimeve dhe tani është sipërmarrja ajo që po përforcon më shumë mesazhin tonë dhe po na bashkohet në realizimin e këtij vizioni, të cilin vetëm më bashkëpunimin e ndërsjellë, si ky i treguar nga Klik Ekspo Group, do mund të kthehet në realitet. Për më shumë, rritja gjithnjë e më graduale e ekonomisë shqiptare ka bërë të mundur që ky vit të numërojë trefishimin e eksporteve dhe çeljen e 10 mijë bizneseve të reja, të cilat ndjejnë çdo ditë e më shumë nevojën për futjen e teknologjive të reja dhe inovative për për të konkurruar edhe më fort në tregjet rajonale ku tashmë kanë treguar se mbizotërojnë. Ndaj besoj se shumë sipërmarrës do të gjejnë pikërisht këtu partnerët që i nevojiten, në një moment i favorshëm për të krijuar kontakte”, – tha më tej Qato në fjalën e saj.

Edicioni i 25-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, do të vijojë të jetë i hapur në Pallatin e Kongreseve në Tiranë deri më datë 24 nëntor 2018, ku dhjetëra sipërmarrës të huaj do të marrin pjesë duke ekspozuar produktet e tyre.

Në programin e Panairit Ndërkombëtar, disa personalitete të rëndësishme të botës së sipërmarrjes janë ftuar për të relatuar dhe ndarë përvoja, ndër të cilët do të përmendnim prof. Paul Hodgkins nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe ekspertë nga Italia, Serbia, në fushën e menaxhimit institucional, mjedisit, mbrojtjes dhe sigurisë.

Më poshtë pasqyrohet më në detaje, edicioni i 25-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës

Pavijonet e shteteve:

Pavijoni i Turqisë: dikur një Panair kushtuar ekskluzivisht eksporteve turke në Shqipëri, sot Pavijoni i Turqisë, rikthehet si Guest of Honour Country, nën organizimin e Dhomës së Tregtisë së Stambollit, duke sjellë ekspozuesit më të spikatur në fushën e industrisë agroushqimore, teknologji për bujqësinë dhe blegtorinë; elektronikë dhe materiale elektrike; industria e përpunimit të drurit, design & arredim.

Pavijoni i Serbisë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, për të 15-tin vit me radhë, Dhoma e Tregtisë e Serbisë, Agjencia e Zhvillimit Ekonomik të Serbisë, Velexpo. Rikthehen në këtë edicion me mbi 50 kompani me interes shumësektorial për tregun dhe investimet në Shqipëri.

Pavijoni i Republikës Popullore të Kinës, po prek 10-vjeçarin e një bashkëpunimi të pandërprerë me Panairin Ndërkombëtar të Tiranës: Rajoni i Ningbo, risjell prodhuesit me në zë në sektorin e elektronikës dhe konsumit të përditshëm, tekstile, energji e rinovueshme, industri kimike.

Përfaqësimi Institucional i Greqisë nëpërmjet Dhomës së Tregtisë së Janinës dhe Programe mbështetëse evropiane dhe cross-boarder, me prezantimin e mbi 20 kompanive që propozojnë jo vetëm produkte të përfunduara, por edhe teknologji e zgjidhje për sektorin mjekësor, industri agroushqimore, materiale elektrike.

Përfaqësimi Institucional i Malit të Zi, nëpërmjet Dhomës së Tregtisë, me një përzgjedhje ekspozuesish në sektorët agroushqimor, elektrik, por edhe investitorë në fushën e turizmit dhe agroturizmit.

Përfaqësimi Institucional i Republikës së Maqedonisë, zgjedhur këtë edicion të mbërrijë edhe përmes Kulturës, duke sjellë nëpërmjet Ministrisë së Kulturës me Projektet e përbashkëta ndërkufitare, bashkanëtarësimi në rrjetet ndërkombëtare të Bashkimit Europian, rrjetet Traduki, në kuadër të botimeve dhe shpërndarjes së ndërsjellë të Kulturës dhe Letërsisë. Ekspozuesit e tjerë nga Republika e Maqedonisë, i përkasin disa sektorëve të ekonomisë me të cilat tregu shqiptar është në bashkëveprim të përditshëm: industria e printimeve, industria e paketimeve, agroushqimore.

Harta e Italisë zgjerohet edhe me më shumë krahina: Puglia dhe Marke i lënë vendin me rotacion rajoneve të Qendrës dhe Veriut si Lazio, Toscana, Emilia Romagna, duke ecur ne hap edhe me praninë e shtuar të sipërmarrjeve me kapital italian në Shqipëri, në kuadër të procedurave lehtësuese për delokalizimin dhe investimet e huaja në vend, duke çelur realitete të reja prodhuese, vende pune e mendësi të reja në mënyrën e menaxhimit.

Të tjerë ekspozues nga Rumania, Belgjika, Kroacia, Austria, Sllovenia, Çekia, dhe patjetër Kosova, të cilët e shohin Shqipërinë jo më si një treg i mundshëm me konsumatorë fundorë, por edhe si mikpritës për të ndërtuar realitete ekonomike e prodhuese.

Sallonet monosektoriale në katër hollet e ekspozimit në Pallatin e Kongreseve, janë të orientuara drejt prioriteteve si Energjia, Transporti, Infrastruktura, Mbrojtja dhe Siguria, Slow Food & Programet IPARD.

Ndër sektorët më mirë të përfaqësuar si nga vendësit ashtu dhe ekspozuesit dhe investitorët e huaj, mbetet dhe ai i bujqësisë, blegtorisë dhe industrisë agroushqimore: Shqipëria përfaqëson një vend me prirje të lartë bujqësore, me një disponueshmëri të mirë hidrike, numër të konsiderueshëm të bujqve të rinj në kërkim të modernizimit të sektorit. Ndihet në vend nevoja për të ripërtërirë parkun e mjeteve dhe futjen e teknologjive të reja për përpunimin industrial, ndaj dhe në përgjigje të këtyre kërkesave mbërrijnë propozimet nga sipërmarrësit ndërkombëtare. Panairi shquhet si një moment i favorshëm për të krijuar kontakte të nevojshme me përfituesit e targetuar, aq më tepër në një moment të rëndësishëm për përfshirjen e fermerëve në Programet e Zhvillimit Rural dhe financimet EU – IPARD, për të dhënë përvojën e ndërsjellë dhe gatishmërinë për të marrë pjesë në segmente të caktuara të projekteve.

Rikthehet Salloni Ndërkombëtar Energji, Transport & Infrastrukturë, nën kujdesin e Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, me konceptin e përforcuar nga piketat e stimuluara nga kërkesat e investitorëve ndërkombëtare të sektorit, për të pasur një panoramë më të gjerë për mundësitë e investimeve dhe prurjen e zgjidhjeve per përdorimin e zgjuar dhe me kursim të energjisë elektrike, propozimin e burimeve alternativave, ripërtëritjes së rrjetit të infrastrukturës rrugore, aeroportuale (projektet e Aeorportit të Vlorës, të Kukësit) me theksin e veçante tek Rruga e Arbrit, projektet ambicioze madhore për transportin ajror (realizimi i suksesshëm i Air Albania) dhe detar, ripërtëritja e rrjetit hekurudhor, siguria e transportit rrugor, mirëmbajtja e segmenteve rrugore, shërbimet në dobi të qytetarit.

Veçoria e këtij edicioni do të jete rikthimi i Ekspozitës Ndërkombëtare mbi Sigurinë dhe Mbrojtjen, e cila përtej anës komerciale e promovuese të industrisë dhe teknologjive të reja në këta dy sektorë të cilët e shohin Shqipërinë protagoniste e faktor stabiliteti në mbarë rajonin, u jep mundësi institucioneve shtetërore të mund të promovojnë zbatueshmërinë e politikave dhe programeve sensibilizuese që vënë në qendër të vëmendjes qytetarin, si përfitues fundor i sigurisë dhe stabilitetit.

Do të donim të vinim në dukje ndër të tjera, që një eveniment me standarde të tilla  ndërkombëtare, në një përvjetor kaq të rëndësishëm, nxit po ashtu ekspertë dhe personalitete të fushave të ndryshme sociale, ekonomike, apo politike, për të ofruar ndihmesën dhe përvojën e tyre përballe një auditori të interesuar, që nga studentët deri te drejtuesit e komunitetit të biznesit dhe autoritetet.

/o.l/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.