Shqipëria, me strategji kombëtare në luftën ndaj krimit kompjuterik

TIRANË, 21 nëntor/ATSH- A. Fortuzi/- Zv.ministri i Punëve të Brendshëm Sandër Lleshaj në konferencën shkencore ndërkombëtare: “Krimi kompjuterik, kërcënimi kibernetik dhe siguria kombëtare”, tha se Shqipëria ka bërë një përparim shumë të madh në luftën ndaj krimit kompjuterik

Zv/ministri tha se, “hartimi i një strategjie kombëtare për sigurinë kibernetike do të jetë një ndër hapat e rëndësishëm, i cili do të përcaktojë objektivat, rrugët dhe burimet e nevojshme për të realizuar këtë qëllim. Në këtë kuadër Policia e Shtetit dhe posaçërisht Akademia e Sigurisë do të kenë rol të rëndësishëm për të luajtur”, tha Lleshaj.

“Shqipëria është një vend me risk shumë të lartë në fushën kibernetike, i cili kushtëzohet si nga shkalla shumë e lartë e penetrimit të internetit, edhe të shërbimeve online dhe të teknologjive të komunikimit. Nga ana tjetër Shqipëria po bën edhe një përparim shumë të madh në këtë fushë, pra në fushën e aplikimit të teknologjive moderne të komunikimit, të internetit”.

“Qeveria shqiptare është në një proces ambicioz të modernizimit të shërbimeve për qytetarët, përmes ofrimit të tyre, përherë e më shumë, përmes platformave elektronike. Në vendin tonë, në vitin 2017, e krahasuar me vitin 2010, sipas të dhënave të Policisë, janë evidentuar 3.3 herë më shumë vepra penale në fushën e krimeve kompjuterike. Pra është figura e krimit e cila ka rritjen më të lartë në krahasim me të gjithë figurat e krimit me të cilat përballet Policia e Shtetit shqiptar dhe në të njëjtën kohë niveli i zbulueshmërisë së tyre është vetëm 27%. Pra, rreth 3 herë më i ulët se mesatarja e zbulueshmërisë së krimeve të tjera. Pra sot kemi, 3 herë më shumë krime dhe 3 herë më pak zbulueshmëri në këtë domen. Dhe këtu qëndron një ndër sfidat më të rëndësishme për të gjitha institucionet e sigurisë dhe në veçanti për Policinë e Shtetit shqiptar”, theksoi Lleshaj.

“Policia e Shtetit duhet t’i nënshtrohet një programi rrënjësor transformimi dhe modernizimi, i cili do të mundësojë që ajo të bëhet e aftë për të përballuar sfidat e një shoqërie, që përditë e më tepër ekziston edhe në realitet virtual. Për të ndodhur ky ndryshim i madh dhe i shpejtë duhet që në radhë të parë Akademia e Sigurisë të shndërrohet në promotor të këtij shndërrimi modernizues. Kurrikulat e saj duhet që në mënyrë progresive të krijojnë hapësirë për teknologjinë e informacionit, për programimin kompjuterik, për financat, për ekonominë digjitale”, shtoi Lleshaj.

Këtu duhet të mësohet mirë përdorimi i droneve, i sensorëve të tjerë, i sistemeve inteligjente të analizës së informacionit, siguria kibernetike, etj.. Dhe bashkë me hapësirën për këto subjekte shkencore Akademia duhet të hapë dyert dhe të bëhet tërheqëse për një profil të ri studentësh dhe pedagogësh, të cilët janë futur ndërkohë në botën e re, që zotërojnë njohuritë, mjeshtëritë dhe pasionin e domosdoshëm për të lundruar dhe për të pasur sukses në këtë realitet të ri. Por një gjë është faktor kritik në këtë proces – Koha”, shtoi Lleshaj. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.