TIRANË, 21 nëntor/ATSH/-Këshilli i ministrave mori sot një vendim të rëndësishëm që lidhet me përftimin e bursave për studentët e shkëlqyer në rezultate, studentet në nevojë si dhe studentët që studiojnë në programe studimi në fusha prioritare.
Në vendim thuhet se për vitin akademik 2018-2019, përfitojnë bursa financiare studentët e regjistruar në vitin e parë dhe në vitet pas të parit, në ciklin e parë të studimeve, në institucionet publike të arsimit të lartë, në programet e studimit në fushën e mësuesisë, të përcaktuara në shtojcën 1, të vendimit nr.216, datë 20.4.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë ose transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2018–2019”.
Studentët e regjistruar në vitin e parë duhet të përmbushin kriterin e notës mesatare 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore.
Studentët e regjistruar në vitet pas të parit, sipas përcaktimeve të kësaj pike, duhet të përmbushin kriterin e notës mesatare 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha detyrimeve të parashikuara për programin përkatës të studimit dhe të shlyera për vitet pararendëse.
Studentët përfitojnë bursën vetëm për periudhën që ndjekin studimet në këto programe studimi dhe për kohëzgjatjen normale të programit të studimit. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Vendimi sqaron se po ashtu se mbështetja shkon edhe familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës, për ata që gëzojnë statusin e invalidit të punës, statusin e jetimit, statusin e të verbrit, statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist.
z.tosku/
