DAMASK, 21 nëntor /ATSH-AA/ – Rreth 6,6 milionë sirianë janë shpërngulur gjatë luftës tetëvjeçare në këtë vend, ndërsa 5,6 milionë të tjerë kanë marrë statusin e refugjatit, tregojnë të dhënat e Komisionerit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR).
Burimet lokale tregojnë se forcat besnike të presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe mbështetësit e tij marrin pasuritë e lëna pas nga civilët.
Raporti i Human Rights Watch (HRW) i 16 tetorit, duke përdorur imazhe satelitore, theksoi se imazhet e marra nga prona të shkatërruara mund të shihen në Kabun, Damask, dhe se asnjë kompensim apo zgjidhje për shtëpitë e tyre nuk u ofrohet civilëve.
Gazetari Yusuf Bustani, i cili me vite ka punuar në terren në këtë zonë deklaroi për AA se “ushtria e Assadit në fakt është ushtri plaçkitësish”.
“Pasi dolëm nga Guta Lindore, ata që mbetën atje deklaruan se janë plaçkitur shtëpitë e banorëve të evakuar. Forcat e regjimit plaçkitin të gjitha shtëpitë në të cilat nuk ka civilë”, sqaroi ai.
Ai theksoi se forcat e regjimit i burgosin ata që vendosin të kthehen në Gutën Lindore ose i detyrojnë t’i bashkohen ushtrisë./ /os/ a.jor.
