Agjencia Telegrafike Shqiptare

Borchardt pro dënimit të shpifjes

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – “Liria e medias nuk nënkupton liri si në Perëndimin e Egër; liri nuk do të thotë anarki; liria e medias kërkon standarde profesionale, të mishëruara në parime, rregulla dhe rregullore”, deklaroi sot kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, në Forumin IV Vjetor për Zhvillimin e Medies, të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Tiranë.

“Nëse nuk veproni ndaj gazetarisë së kopjimit (copy/paste), nëse nuk ndërmerrni veprim sindikal ndaj informalitetit në punësim, nëse pranoni kontroll redaksional nga pronarët, atëherë edhe ju jeni përgjegjës për situatat me të cilat përballeni. Liria e medias dhe liria e shprehjes nuk mund të përdoren si shfajësim për të përhapur shpifje dhe lajme të rreme, që u shkojnë për shtat interesave të caktuar politikë dhe ekonomikë. Edhe Prezenca e OSBE-së ka qenë vetë viktimë e këtyre sulmeve, prandaj e di mirë se ç’them”, tha Borchardt.

Kjo gjendje, theksoi ai, “është veçanërisht problematike në rastin e medies online në Shqipëri. Ka me qindra faqe interneti që thjeshtë nxjerrin lajme pa cilësi, duke kopjuar trillime. Shumë informacione janë tejet të interpretueshme dhe mund të shihen si shpifje; ndërsa informacione të tjera janë thjesht shpifje dhe kaq. Pronësia e këtyre faqeve interneti shpesh është jotransparente. Është gjetur një në Kolumbi. Interesante. Burimet e financimit të këtyre faqeve janë të paqarta. Rregullimi i medieve online është i nevojshëm, por kjo duhet bërë, sikurse thashë më herët, në mënyrë përpjestimore dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut përcakton standardet dhe udhëzimet”, tha Borchardt.

“Rregullimi i portaleve online, përfshirë portaleve të medias, është çështje e ditës. Ky rregullim duhet të kryhet duke respektuar plotësisht standardet ndërkombëtare, duke treguar kujdes dhe vëmendje për të mos cënuar lirinë e medies, përmes konsultimesh të gjera dhe transparente, si dhe duke respektuar parimin e përpjesëtueshmërisë. Prezenca e OSBE-së është e gatshme të ofrojë mbështetje përgjatë kësaj nisme dhe e mirëpresim angazhimin që kryeministri Rama shprehu dje në këtë drejtim, në takimin me Përfaqësuesin e OSBE-së për Lirinë e Medias”, theksoi Borchardt.

“Lejomëni të jem i qartë: Shqipëria sot është demokraci. Media dhe gazetarët këtu nuk përballen me kontrollin politik dhe me shtypjen e egër tipike të regjimeve diktatoriale ose autoritare. Ama, nuk duhet të fshehim as faktin që Shqipëria ka shumë rrugë për të bërë deri në hartimin, miratimin dhe zbatimin sistematik të standardeve më të mira në fushën e rregullimit të medies.

Barabar, vetë mediet shqiptare nuk kanë arritur atë nivel profesionalizmi, sjelljeje etike dhe vetërregullimi kolektiv, që është i domosdoshëm për pavarësinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Kur them pavarësi, e kam fjalën për pavarësi si nga forcat politike, ashtu edhe nga manjatët e medias”, tha ambasadori Borchardt.

Ambasadori shtoi se, “Shqipëria duhet të çkriminalizojë plotësisht shpifjen. Ky është një rekomandim nga ne dhe nga ODIHR-i, në kuadrin e reformës zgjedhore. Edhe pse Kodi Penal nuk parashikon më dënim me burg për këtë vepër, gazetarët përballen me gjoba dhe dënime penale në rast se shpallen fajtorë. Dispozitat e Kodit Civil janë më se të mjaftueshme për të dënuar shpifjen. Madje, edhe dispozitat e Kodit Civil mund të paraqesin rrezik dhe të frenojnë lirinë e shprehjes, nëse përdoren masivisht dhe si një sulm i gjerë kundër gazetarëve”.

Po ashtu Borchardt nënvizoi se, “Radiotelevizioni publik duhet të funksionojë i pandikuar nga kontrolli politik, pasi roli i tij i vërtetë është të jetë partner i qytetarëve, i vetë shtetit, si edhe i sektorit tregtar. Nga ana tjetër, Prezenca e OSBE-së nxit profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e medias gjatë raportimit. Me sjellje etike dhe profesionalizëm, mediat dhe vetë gazetarët duhet të bëjnë pjesën e tyre për të arritur respektimin e lirisë së medias. Thënë troç: mos prisni nga politikanët të mbrojnë profesionin tuaj; këtë gjë duhet ta bëni vetë”.

“Shoqatat e mediave, sindikatat e gazetarëve, pronarët e mediave duhet të përkrahin vetërregullimin e medias si alternativë ndaj rregullimit qeveritar të saj. Është më mirë të kemi një Kod Etike për Median që respektohet dhe zbatohet, se sa dispozita të Kodit Penal”, tha ambasadori Borchardt.

I pyetur nëse do të ishte dakord për paketën antishpifje të propozuar nga Kryeministri Rama, Borchard u shpreh se, “sapo e theksova edhe në fjalimin tim se marrja e masave kundër shpifjes nuk është diçka e keqe në vetvete. Nga njëra anë, kemi të drejtën e njeriut, lirinë e shprehjes, nga ana tjetër kemi të drejtën e mbrojtjes së dinjitetit. Ne japim dy rekomandime thelbësore në këtë fushë: njëri është që mbrojtja e dinjitetit kundrejt shpifjes të mos bëhet përmes Kodit Penal; ndërsa rekomandimi i dytë është që kjo vijë e hollë ndarëse midis këtyre dy të drejtash të përcaktohet bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në bazë të praktikave më të mira europiane”.

/gj.mima//j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version