Policia e Dibrës procedon 16 persona për vepra të ndryshme penale

TIRANË,19 nëntor /ATSH- I. Vata/ – Drejtoria Vendore e Policisë Dibër gjatë javës ka proceduar penalisht, 16 persona për vepra të ndryshme penale.

Policia Dibër shpjegon se si rezultat i punës së policisë për parandalimin e krimit dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit janë kapur dhe ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim, dhe konkretisht: Është kapur një shtetas pjesëtar i një grupi që kryenin aktivitet kriminal në fushën e vjedhjeve të automjeteve. Është kapur një shtetas i dënuar me 3 vite e 4 muaj burgim. Si dhe është kapur një tjetër shtetas i dënuar për veprën penale ngacmim seksual.

Po ashtu Policia Dibër ka bërë të mundur edhe arrestimin e një shtetasi pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 shtetas për vepra të ndryshme penale, ku 3 prej tyre për veprën penale ndërtim pa lejen e organeve përkatëse.

Strukturat e Policisë janë fokusuar gjithashtu në parandalimin e fenomenit të djegieve në venddepozitimet e mbetjeve, duke ushtruar patrullime shtesë në çdo zonë, duke marrë masa të forta ndaj kujtdo shkelësi, që me veprime apo mosveprime shkaktojnë pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës të rëna gjatë orëve të fundit në qarkun e Dibrës, Policia Rrugore ndodhet e angazhuar në të gjitha akset rrugore, si dhe apelon drejtuesit e automjeteve të shtojnë kujdesin maksimal gjatë qarkullimit. Gjithashtu Policia Dibër fton qytetarët të denoncojnë çdo krim mjedisor e paligjshmëri në numrin falas 112 apo aplikacionin Komisariati Dixhital, duke garantuar reagim të shpejtë dhe të ashpër ndaj shkelësve. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.