Marota në Kinë për të firmosur me “Interin”, Saviç goditja e parë?

TIRANË, 19 nëntor/ATSH-A. Fortuzi/ Ish-presidenti i “Juventusit”, Beppe Marotta është shumë pranë “Interit” dhe zyrtarizimi është çështje orësh. Marotta raportohet nga mediet italiane se ka udhëtuar drejt Kinës, pranë zyrave të Suning, drejtuesve të rinj të “Interit” për të nënshkruar kontratën e re.

Mediet italiane raportojnë se me ardhjen e menjëhershme të Marotta, kanë filluar të marrin formë edhe strategjitë zikaltra në merkato. “Interi” do të jetë protagonist i sigurtë në muajt e ardhshëm, kur priten investime të mëdha, por jo të ekzagjeruara.

Sipas “Corriere dello Sport”, një nga emrat në krye të listës së përforcimeve, i ndjekur nga Marotta, është Sergej Milinkoviç-Savic. Serbi është një nga objektivat madhorë të 61-vjeçarit, tashmë i ndjekur nga afër prej tij për disa muaj, sa drejtonte merkaton te “Juventusi”.

Çmimi i lojtarit të rëndësishëm të “Lazio” është mjaft i shtrenjtë, ndërsa negocimi me Lotito nuk do të jetë i lehtë, siç mëson historia. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.