Manastirliu: Mbrojtje të menjëhershme për çdo fëmijë të neglizhuar

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/- Në ditën Botërore të Parandalimit të Abuzimit ndaj Fëmijëve, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu priti telefonatat e fëmijëve në linjën kombëtare të këshillimit Alo 116 111, në kuadër të aktivitetit “Unë flas me fëmijët”.

“T’i përgjigjesh një fëmije që ka nevojë për ndihmë është më shumë sesa detyrë, është përgjegjësi morale e secilit prej nesh, ndaj është e rëndësishme të dëgjosh drejtpërdrejt prej tyre nevojat, kërkesat, dëshirat për të krijuar një sistem ku të gjithë bashkë jemi pjesë, që i mbron fëmijët, ku veprohet shpejt, në interesin më të lartë të tyre”, tha Manastirliu.

Ministrja vlerësoi punën e bërë nga Alo 116 për mbrojtjen dhe adresimin e çdo problematike të fëmijëve, me mbi 666 mijë telefonata në këto 10 vite dhe 15.765 fëmijë të ndihmuar.

Manastirliu tërhoqi vëmendjen edhe të strukturave vendore për të mos neglizhuar asnjë rast të fëmijëve që kanë nevojë për ndihmë.

“Pushteti vendor, pushteti qendror, të gjithë bashkë duhet të punojmë çdo ditë për të krijuar një mjedis të sigurtë për çdo fëmijë sepse për ne fëmijët janë të parët”, tha Manastirliu.

Vetëm gjatë këtij viti janë menaxhuar nga Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve 1105 fëmijë që kanë patur nevojë për mbrojtje nga dhuna dhe abuzimi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.