DASH, asistencë teknike në sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/- Projekti për asistencën teknike në sektorin e hidrokarbureve do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për të rritur sigurinë e saj energjetike dhe mirëadministrimin e burimeve natyrore në interesin më të mirë të vendit.

Kështu theksuan Drejtori Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), Adrian Bylyku dhe përfaqësuesit e Zyrës së Programeve të Energjisë së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët njoftuan në fund të muajit tetor fillimin e projektit të asistencës teknike në sektorin hidrokarbur.

Projekti përfshin gjithashtu konsulencë nga kompania konsulente, Deloitte Financial Advisory Services LLP. Ky projekt do të sigurojë mbështetje teknike mjaft të kualifikuar në sektorin e hidrokarbureve.

Ky program mbështetet në tre shtyllat kryesore: organizimi i raundeve të licencimit për kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe gazit, mbikqyrje teknike në sektorin hidrokarbur dhe Trajnimet teknike.

Projekti ka si qëllim forcimin e aftësisë së Agjencisë për të siguruar mbikqyrje efektive të sektorit të hidrokarbureve në vend, zhvillimit të një procesi konkurrues dhe transparent të raundeve të licencimit për naftë dhe gaz, për të tërhequr investitorë të kualifikuar.

Gjithashtu, synohet ruajtja e mjedisit dhe komuniteteve në prodhimin e naftës në rajon. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.