Buxheti 2019, Banka e Shqipërisë mbështet investimet publike

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ – Guvernatori i Bankës së Shqipërisë tha në komisionin e Ekonomisë, se Banka e Shqipërisë vlerëson me nota pozitive investimet publike që do të bëhen nëpërmjet buxhetit të shtetit gjatë vitit 2019.

“Projekt buxheti i vitit 2019, parashikon investime publike në nivelin 5,1% të prodhimit të brendshëm bruto. Banka e Shqipërisë e vlerëson politikën për mbështetjen e investimeve publike që parashikon buxheti i vitit të ardhshëm”, tha Sejko.

Ministria e Financave sqaron se buxheti i vitit 2019, parashikon të investoje 88.8 miliardë lekë për vepra infrastrukturore publike.

“Investimet Publike për vitin 2019 janë planifikuar në masën 5,1% e PBB ose 88.8 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe mbështetjen për Sektorin e energjisë 3 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2019 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si edhe në vitin 2018, dhe në vitin 2019 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim, duke synuar mbylljen e tyre brenda vitit të fundit të mandatit të qeverisë”, thotë ministria e Financave. /o.l/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.